Pallati me 1200 metra katrorë shtesë pa leje i përket biznesmenit që Rama e puthi në ballë

Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi ishte sot në zonën e Farkës në Tiranë, në kuadër të operacionit të ndërmarrë nga qeveria për konfiskimin e kateve dhe metrave shtesë të ndërtuara pa leje.

Pas pallatit në pronësi të biznesmenit Lulzim Morina, sot është konfiskuar një shtesë pa leje në pallatin në pronësi të biznesmenit Pëllumb Salillari, me sipërfaqe 1200 m2.

Salillari është i njëjti biznesmen që Rama para disa vitesh e puthi në ballë publikisht, sepse kishte ndërtuar shtëpi për personat e prekur nga tërmeti.

Ministri i dha dy rrugë pronarit, ta para-blejë me çmimin e tregut ose ta dhurojë. Në të kundërt, sekuestrohet dhe i kalon shtetit.

“Jemi në zonën e Farkës, ku grupi verifikues në zbatim të VKM-së së fundit për konfiskimin e shtesave pa leje ka verifikuar një ndërtesë tjetër që ka rreth 1200 metra katrorë jashtë lejes. Këtij subjekti do ti lëmë dy opsione: i pari është ta parablejë shtesën me çmimin e tregut të indeksuar dhe këto para do të shkojnë në dispozicion të agjencisë së shpronësimeve. I dyti është që ta dhurojë këtë shtesë dhe në këtë rast këto kate dhe shkojnë për shërbimins social. Nëse nuk zgjedh asnjë nga këto opsione, do të konfiskohet për interes publik. ”, tha Çuçi.

Qeveria mori vendim për konfiskimin e kateve e pallateve që janë bërë pa leje më datë 7 shtator 2022. Operacioni i beftë, ka krijuar pikëpyetje nëse ka qëllime propagandistike apo është përpjekje reale e qeverisë për të ndëshkuar shkelësit e ligjit.