Zhdukja e Ervis Martinajt, Sali Berisha i përgjigjet Edi Ramës: Pyet Olsin, ta thotë ai!

MARIGLEN KUME/ Porosisë së Kryeministrit Edi Rama ndaj drejtorit të ri të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, për fatin e Ervis Martinajt iu përgjigj ish-Kryeministri Sali Berisha.

Në ditën që kreu i qeverisë prezantoi drejtorin e ri të Policisë së Shtetit, kryetari i opozitës zhvilloi një takim me ish-drejtues Policie, ku iu përgjigj edhe Kryeministrit Rama. Sipas Berishës, zhdukja e shumë të përfolurit Martinaj lidhet me bastet sportive dhe se për të, sipas tij, gisht ka vëllai i kreut të qeverisë, Olsi Rama.

“Shqipëria është një vend i pasigurt, një vend ku bandat godasin, në Parlament bëjnë ligjet, në qeveri bëjnë vendimet, në rrugë shkrehin breshëritë. Por, në fakt, një lidhje të madhe mes të triave, e pandashme, ekziston. Sot, Edi Rama porosiste Met Rrumbullakun. I jepte porosi të veçanta për Vis Martinajn. Po ja tregoj unë ku është Vis Martini. Ai është te lojërat e fatit. Shko e pyet Olsin, të thotë Olsi. Pyet kë të duash ti, por njerëzit e kanë të qartë si drita e diellit.

Si ishte biznesmeni njësh i lojërave të fatit. I vëllai i tij është hija e tyre. Sa ishte ai, ishin ilegale. Iku ai, se ç’ndodhi me të, të pyesë lojërat e fatit, seç ndodhi me të askush se di, por dimë që lojërat u bënë të ligjshme tani. Pra, gjithçka lëviz në një trajektore që vjen nga kupola dhe zbret poshtë. Situatë dëshpëruese në pamje të parë, por unë personalisht jam optimist. Pavarësisht nga shkalla e thellë e dëmtimit të Policisë së Shtetit, nga rekrutimi dhe angazhimi i banditëve në Polici, trafikantëve, të droguarve, përsëri aty ka me qindra e mijëra burra dhe gra me uniformë, të cilët me padurim presin që të zbatojnë ligjin, t’u krijohet mundësia për të zbatuar ligjin”, tha Berisha.

LIDHJET E KRIMIT

Teksa theksoi situatën kritike të sigurisë në vend, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, shtoi se problemi për këtë situatë nuk qëndron tek uniformat blu. Sipas tij, Policia e Shtetit është viktimë e një politike që zbatohet nga një maxhorancë që ka në vetvete njerëz që kanë lidhje me krimin dhe që janë sponsorizuar prej tyre. “Policia e Shtetit, rendi dhe siguria, janë viktimë.

Unë nuk them se Policia nuk ka problemet e veta, i ka të padiskutueshme, por ato janë viktimë e një politike të inkurajuar, ndjekur, zbatuar, nga një qeveri, e cila ka një raport të veçantë me drogën dhe krimin. Sot, krimi godet kudo, por e vërteta është se sot ai qeveris. Të marrim së bashku tri lëvizjet e fundit. Asnjëra nuk vjen nga Policia. Pasaporta e artë vjen nga Edi Rama. Kush ka kaq, merr pasaportën e artë. Trafikantët kanë dhjetëfishin. Pasaporta e artë bëhet si gaxhet për ta. Amnistia fiskale, mbështetja më e fuqishme. Këtu falimentojnë çdo ditë biznese të ndershme nga taksidarë brutalë që shkojnë dhe i gjobisin për çdo gjë. Kurse ai që i bën paratë me aktivitet kriminal, lejohet t’i sjellë.

Kjo përbën një problem shumë të madhe me vendet e tjera. Nuk është sekret. Krimi shqiptar është bërë shumë i frikshëm për partnerët tanë. Presidenti i Francës e ka shprehur në mënyrë të përsëritur këtë”, tha Berisha, ndërsa solli si shembull konkret qarkun e Elbasanit. “Sot bandat kudo kanë patronët e tyre politikë. Dhe kjo është e njohur, provuar, dokumentar. Dhe ato pastaj kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë ligjin. Nuk ka më bandit në bandën e Elbasanit se Taulant Balla.

Po pse, sepse ai është me dokumente, regjistrime, njeriu që i administron në njëfarë mënyre. I administroi në fushatën e tij elektorale, u siguron favore nga më të ndryshmet dhe ai sot kryeson grupin e PS-së. Nuk është i vetëm, unë dhashë një shembull. Dhe këto ai i bën me miratimin e Edi Ramës. Këto që them unë, Rama i di shumë më mirë se unë. Raportet i ka të gjitha aty, se çfarë thotë Gentian Sharra për të, apo me radhë. Edi Rama ka zgjedhur të qeverisë me krimin, të bazohet në krimin të mbështesë krimin. Kjo është e vërteta. Nuk është sekret. I them një mikut tim, pyete njëherë pse ti mbështet vrasës dhe krim në këtë zonë, e atë zonë. Si tha, ata më sjellin vota mua”, u shpreh ish-kryeministri.

DEKONSPIRIMI I OPERACIONEVE

Lideri demokrat në bashkëbisedimin me ish-drejtues Policie dhe me gazetarë, të cilët kanë mbuluar zhvillimet e kronikës së zezë, Berisha i dha përgjigje sipas versionit të tij dhe shqetësimit që kishte ngritur Gledis Nano në median franceze për dekonspirimin e operacioneve. “Unë mora Elbasanin, akoma më shumë është Durrësi. Aty ka dy muaj pa drejtor Policie. S’ka sepse drejtor është krimi aty. Çfarë duhet drejtori. Ky Gledis Nano po del si puna e Zaganit. Dritani ishte një oficer kurajoz dhe këtë nuk e njoh. Problemi ishte se Dritanin e akuzuan për spiun italian. Ai kishte detyrë të bashkëpunonte me italianët, me të cilët kishin marrëveshje.

Këtë tani, nesër apo pasnesër do na e akuzojnë për spiun francez apo amerikan. Çfarë informacioni sekret qenka se na janë dekonspiruar operacionet. Nuk përbën asnjë sekret, përkundrazi ka denoncuar një krim të shëmtuar që ndodh e që duhet denoncuar publikisht. Kush i dekonspiron operacionet? Operacionet kundër drogës i dekonspiron këshilltari i ministrit dhe ministri”, tha Berisha. Ndërsa la të kuptohej se Gledis Nano ishte shkarkuar për çështjen se ka pasur mosdakordësi me Kryeministrin për drejtuesin e Policisë në portin e Durrësit. “Gjithë beteja bëhet për kontrollin e Portit të Durrësit dhe flukseve gjigante. Së shpejti do të shohim këtu nëndetëse droge. Nuk ka ndonjë kontroll kufiri këtu. As radarët nuk funksionojnë, asgjë. Me dhjetëra herë keni dëgjuar që kanë protestuar për skanerët”, vijoi Berisha.