Pesë vatra infektimi, bilanci i një jave me gripin e shpendëve! Afro 400 mijë pula të ngordhura


Kanë kaluar shtatë ditë nga 20 marsi, kur u raportua rasti i parë me grip shpendësh, që u pasua me qindra-mijëra pula të ngordhura dhe shumë shqetësim në radhët e konsumatorëve.

Kërkesë-oferta, si asnjëherë më parë, nuk ndoqi rrjedhën logjike. Pavarësisht se një pjesë e mirë iu qëndruan larg mishit të pulës e vezëve, çmimi i tyre u rrit në mënyrë të frikshme. Në shtatë ditë u identifikuan pesë vatra (tabelë më poshtë), të cilat u izoluan bashkë me komplekset dhe pularitë e zonave përreth. Ndërsa fermerët e prekur presin ngordhjen e shpendëve në gjithë kompleksin, dezinfektimin e zonës për të nisur gjithçka nga e para.

SITUATA

Në dy ditët e fundit është me rëndësi të përmendet fakti se nuk ka pasur raste të reja infektimi apo qoftë edhe raportimi për prekjen nga virusi. Në raportimin e përditshëm, Ministria e Bujqësisë, përmes numrit 2 të saj, Ermira Gjeçi, e nënvizoi këtë lajm të mirë, pa preferuar të japë më tej shifra mbi numrin e shpendëve të ngordhur në fundjavë dhe totalin e groposjeve. I gjithi një raportim për të siguruar se po respektohen protokollet e paracaktuara. “AKVMB vazhdon monitorimin e situatës me veterinerët zyrtarë të shërbimit me kontrolle në ferma me drejtim prodhimtari vezë, mishi dhe miks, në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.

Nuk ka vatra të tjera të raportuara apo dyshuara nga kontrollet e kryera për monitorim. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vazhdon rregullisht kontrollet në të gjithë territorin e vendit. Nuk janë konstatuar shkelje apo problematika. Mbi situatën e gripit të shpendëve në vendin tonë, edhe sot nuk kemi asnjë rast të ri të konfirmuar nga ISUV gjatë 24 orëve të fundit, dhe po ashtu nuk ka pasur as denoncime apo njoftime në numrin e gjelbër”.

Lidhur me urdhrin e ndalimit të tregtimit të shpendëve në mjedise të hapura, MB ia faturon përgjegjësinë pushtetit vendor, ndërkohë që përsërit për të disatën herë se produktet e tregtuara në qendrat e licencuara janë të sigurta. Sakaq, shpendërritësit që vënë re raste të dyshimta, apelohen t’i drejtohen menjëherë veterinerit të zonës ose numrit të gjelbër.