Alfred Moisiu: Lulzim Basha luajti gabim, Sali Berishën e ndjekin njerëz të pakulturuar


Ish-Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu e quan të gabuar rikthimin e Sali Berishës në PD dhe tentativën e tij për të ardhur sërish në pushtet.

I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, Moisiu tha se rikthimi në pushtet i Sali Berishës do të ishte “fundi i dynjasë”.

“Për mua ardhja e Berishës në pushtet është e pamundur të arrihet. Nuk besoj… Nëse vjen Berisha do të ishte fundi i dynjasë…” – tha Moisiu.

Ish-presidenti bëri edhe një akuzë mjaft të rëndë pasi tha se Berishën e ndjekin njerëz të pakulturuar.

“Puna është kush e ndjek tani. Ne i njohim njerëzit. Janë pjesa më e pakulturuar. Janë ish-doganierë, ish-tatimorë, ish-policë, “ish”-a që pa mund, pa djersë kanë arritur të marrin disa vende dominuese”, tha Moisiu.

Moisiu ishte kritik edhe me Bashën që sipas tij luajti gabim përballë Berishës.

“Nuk është asgjë e re dhe e papritur. Unë kam respekt për Bashën, por ai bëri gabimet e tij. Kur filloi Foltorja, duhet të dilte edhe ai”, tha Moisiu.