Chelsea i beson të ardhmen Brojës me një superkontratë, pronari Bohli: Armando është pjesë e madhe e planeve tona

Armando Broja jo vetëm që nuk ka lëvizur nga Çelsi gjatë merkatos së verës, por klubi anglez i ka besuar atij të ardhmen e sulmit. Londinezët kanë zyrtarizuar në pasditen e të premtes rinovimin me një superkontratë për futbollistin e përfaqësueses shqiptare, duke e lidhur atë me këtë ekip deri në vitin 2028.

Futbollisti i cili së shpejti mbush 21 vjeç, është bërë kështu emri i parë i cili i nënshtrohet politikës së “blindimit” të talenteve nga klubi, i cili dëshiron që marrëveshjet me lojtarët të cilët mund të kthehen në flamuj, të jenë më të gjata se ato 5-vjeçare që firmosen zakonisht. Broja ka qenë i pari që ka firmosur një marrëveshje të tillë, duke përmirësuar kontratën ekzistuese, për ta çuar deri në vitin 2028. Një sinjal i qartë i besimit të klubit, me presidentin Tod Bohli i cili ka folur me elozhe për futbollistin shqiptar pas firmës.

“Ne jemi të lumtur që Armando i është përkushtuar në këtë mënyrë Çelsit. Ai është një sulmues i ri dhe entuziazmues dhe një pjesë e madhe e planeve tona për të ardhmen”, tha presidenti i klubit për faqen e londinezëve.

Ndërkohë, bashkëpronarët e klubit, Behdad Eghbali dhe Hose E. Feliciano, shprehën gjithashtu admirimin e tyre për Brojën. “Armando ka kaq shumë talent dhe ne jemi besimplotë se ai mund ta përmbushë atë te Çelsi. Ne presim me padurim që të shohim zhvillimin e tij në këtë sezon dhe në të ardhmen”, ishin fjalët e drejtuesve më të lartë të klubit për futbollistin e kombëtares shqiptare.