Ardi Veliu prezantohet si drejtori i ri i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore

Ish Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, është prezantuar këtë të premte si Drejtori i ri i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP).

Veliu, i cili deri në mesjavë mbante postin e zëvendësministrit të Energjetikës, do të zëvendësojë në këtë drejtori Muhamet Rrumbullakun.

NJOFTIMI

Prezantohet Drejtori i ri i AMP

U prezantua sot Drejtori i ri i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP) Ardi Veliu, i cili zëvendēson nê këtë post zotin Muhamet Rrumbullaku.

Ish-Drejtori Rrumbullaku drejtoi Agjencinë me rezultate të larta në një proces reformimi, duke u shndërruar në një strukturë më civile në ushtrimin e kontrollit dhe mbikëqyrjen e Policisë së Shtetit, Gardën e Republikës dhe Shërbimin Zjarrfikës.

Falë punës këmbëngulëse dhe intensive të AMP nën drejtimin e z. Rrumbullaku, Agjencia ka kaluar përmes një procesi transformues duke u shndëruar në pararojë e zbatimit të ligjit në kuadrin e goditjes së fenomeneve negative si paligjshmëria dhe korrupsioni në rradhët e punonjësve të Policisë së Shtetit.

Rezultatet e arritura nga AMP gjatë kësaj periudhe, e kanë bërë Agjencinë një nga institucionet më të mbështetura nga publiku sa i përket reagueshmërisë dhe zbatimit të ligjit.

Drejtor Veliu emërohet në krye të AMP pas një përvoje të gjatë menaxheriale në strukturat e Policisë së Shtetit, si dhe detyrës si zv.ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë. Ai u angazhua për vijimin e punës, në thellimin e reformave të nisura.