Zbulohet emri, që dyshohet se ka mbetur i plagosur në Elbasan. Bëhet fjalë për Talo Çelën, një emër i njohur për drejtësinë dhe policinë. Dyshohet se Çela ka mbetur i plagosur në atentatin e mbrëmjes së sotme, por është larguar nga vendi.
Policia u njoftua për të shtëna mbrëmjen e sotme në aksin Elbasan-Cërrik dhe më pas gjeti një automjet tip “BMW” të qëlluar disa herë me plumba, por asnjë person brenda saj.
Atentati ka alarmuar policinë e cila me përforcime të shumta si dhe RENEA prej disa orësh po krehin zonën me qëllim identifikimin dhe kapjen e personave të përshirë në këtë ngjarje në fshatin Papër ku dyshohet se mund të ketë mbetur i plagosur i shumëkërkuari Talo Çela. “BMW” ishte qëlluar me 20 plumba kallashnikovi dhe u gjet e braktisur.
Talo Çela është shpallur në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar, pasi Gjykata për Krimet e Renda Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja e punonjësit të policisë” kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, “Vjedhja me armë e kryer në bashkëpunim”, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe “Vrasja me paramendim, kryer në bashkëpunim”.
Çela është autori i dyshuar i ngjarjes së datës 9 prill 2019, ndodhur në pistën e aeroportit “Nënë Tereza”, në Rinas, Tiranë, ku persona të maskuar, nën kërcënimin e armëve të zjarrit, kanë arritur të vjedhin një sasi të konsiderueshme vlerash monetare të cilat po ngarkoheshin në avion dhe më pas gjatë shkëmbimit të zjarrit me Policinë, mbeti i vrarë njëri prej autorëve kryesorë të kësaj ngjarjeje.
Gjithashtu ky ai dyshohet se fshihet pas atentatit me armë zjarri të 2 vëllezërit Haxhia në Durrës. Emri i Talo Çelës ka dalë në dritë përmes dëshmisë së të penduarit të drejtësisë, Klevis Alla, të arrestuar për vrasjen e vëllezërve Haxhia.