Drejtori i mediave Panorama, Alfred Peza, në një intervistë për News 24, komentoi shembjen e paligjshme nga IKMT të Prestige Resort.
Peza theksoi se IKMT nuk ka zbatuar asnjë element të procedurës ligjore. Ai shtoi se Prestige Resort ka leje ndërtimi të miratuara nga tre kryeministra të vendit.
Alfred Peza vlerësoi se Prestige Resort i jep imazhin më të mirë vendit. Ai shtoi se të gjithë këtë po e bën Dallëndyshe Bici, që është kallëzuar më herët edhe penalisht në Prokurori.
Nuk është zbatuar asnjë element i procedurës ligjore, kur kjo i ndodh një prej pronarëve më të mëdha të mediave në Shqipëri, shqiptari i thjeshtë ndihet i kërcënuar. Nëse do të respektoheshin procedurat, subjekti duhet të bënte verifikim, duhet lëshuar një urdhër që i dorëzohet subjektit që ka të drejtë për 30 a 40 ditë, që të çojë ankesat në gjykatë. Ky nuk është një akt juridik, ky nuk është akt procedurial, është një sulm politik për shkak se pronari i resortit është një pronar mediash, e mendja të shkon tek fakti se qeveria ka problem vijën editoriale të mediave që drejtohen nga Hysenbelliu Group.
Ne arrijmë ta kuptojmë se çfarë dëmi i bëhet Shqipërisë dhe shqiptarëve nga këto pamje e këto prishje. Shqipëria nuk ka nevojë për pamje të tilla, por ka nevojë për shumë gjëra të tjera, në një kohë që ndërtimet pa leje janë me qindra e mijëra nga Velipoja në Ksamil. Vetëm një resort në jug të Shqipërisë është i gjithi pa leje. Kjo ndodh kur Dallëndyshe Bici është kallëzuar në Prokurori kur ka drejtuar IKMT-në. Ne kemi nevojë për një Shqipëri me imazh pozitiv. Prestige Resort është me tre leje ndërtimi, miratuar nga 3 kryeministra”, deklaroi Peza.