Nafta më e shtrenjta në rajon, tabela si shqiptarët paguajnë taksa deri 2.5 herë më të larta se Kosova dhe Maqedonia e Veriut

Nafta dhe benzina në Shqipëri janë ndër më të shtrenjtat në Europë dhe më të shtrenjtat në rajon.

Në mëngjesin e datës 31 gusht, një litër naftë tregtohej në vend me 248 lekë për litër (pasdite u ul me 9 lekë për litër). Në Maqedoninë e Veriut, po në mëngjesin e  31 gushtit nafta tregtohej me 193 lekë për litër, ose 55 lekë më lirë. Në Kosovë, në të njëjtat momente nafta tregtohej në tregun e pakicës me 205 lekë, ose 43 lekë më pak (çmimet janë konvertuar në lekë me kursin 1 euro=117 lekë).

Luigj Aliaj, nga Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve shpjegon se kjo diferencë është e lidhur tërësisht me taksat më të larta që paguhen mbi naftën.

“Për të vlerësuar si është çmimi i karburantit në raport me rajonin dhe a ka abuzime në tregun tonë duhet që të analizojnë treguesit, që formojnë çmimin në një ditë të caktuar dhe në të njëjtën ditë të merren edhe treguesit e rajonit. Është e sigurt që duke vënë në kushte të barabarta taksimi, karburantet në vendin tonë tregtohen më lirë se në të gjithë rajonin”, pohon ai.

Aliaj shpjegon se çmimet e karburantit, si çdo artikull tjetër varen nga kostot dhe kostot e karburanteve ndikohen nga katër tregues:

-Së pari, çmimi që kuotohet në bursa çdo ditë, i cili ka çmimin që del në bursë usd/ton, Premium që kompanitë e tregtimit dhe shpërndarjes globale vendosin mbi bursën. Kjo ndikohet nga diferenca e treguesit referencë Platts nga muaji konkret me muajin pasardhës. Me anë të këtij premiumi kompanitë globale të tregtimit mbulojnë kostot e transportit dhe diferencat që krijohen nga ndërrimi i kontratave nga muaji në muaj si dhe korrigjimi i densitetit, i cili varet nga densiteti për çdo sasi produkti dhe çmimi i kuotimit në Platts;

-Së dyti, kursi i këmbimit të dollarit me lekut për çdo ditë. Aktualisht dollari këmbehet me 117.3 lekë, nga 114 lekë në maj.

-Shpenzimet e ushtrimit të aktivitetit, që aplikojnë operatorët.

-Së katërti, janë taksat që vendosin autoritetit në çdo vend të caktuar.

”Duke qenë se çmimi i karburanteve është global edhe afërsisht i njëjtë për operatorët lokalë të çdo vendi që blejnë nga tregjet e mëdha botërore, me diferenca jo shumë të mëdha, po kështu edhe shpenzimet e shpërndarjes së ushqimit të veprimtarisë janë afërsisht të barabarta me dallime nga pagat. Edhe kurset e këmbimit nuk janë me ndikime të mëdha.

Sipas Aliajt, meqë këta tre faktorët e parë varen nga sipërmarrja nga mënyra se organizohet biznesi dhe kursi nuk lëviz shumë, atëherë faktori që dallon çmimin midis vendeve të ndryshme lidhet me taksat që aplikon çdo shtet sipas politikave të veta. “Pasi i vendosim në kushte të barabarta taksimi nëse diferencat e çmimeve nga operatorët në vendet e përafërta kanë dallime të mëdha, atëherë faji mbetet mbi sipërmarrjet për fitime jo të moralshme ose jo të drejta”.

Krahasimi: Shqiptarët paguajnë deri 2.5 herë më shumë taksa për një litër naftë

Shoqata e Hidrokarbureve ka bërë llogaritjen për formimin e çmimit në datën 30.08.2022, që ishte për vendin tonë afër çmimeve me të larta historike, për të tre shtetet, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën..

Treguesi referencë Platts i datës 30 ishte i njëjtë për të tre shtetet, Kosovën, Maqedoninë e veriut dhe Shqipërinë. Platts u ble me 1200 dollarë për ton për naftën dhe 1000 dollarë për ton për benzinën. Densiteti i produkteve është i njëjtë: një ton naftë =1118 litër dhe 1 ton benzinë me 1340 litër/ ton.

Për të dalë në çmime të krahasueshme të gjitha çmimet llogariten në lekë për litër (një euro këmbëhet me 117 lekë dhe me 61 dinar maqedonas). Në Kosovë nafta tregtohet me euro. Për Shqipërinë është marrë çmimi maksimal dhe për Kosovën e Maqedoninë çmimi mesatar i tabelave.

Kosova

Në Kosovë, po dje u pagua gjithsej taksë

Nafta:

  • Akcizë 0.36 euro litër
  • TVSH 18% 0.26 euro litër
  • Taksa gjithsej 0.62 euro për një litër, ose 72.5 lekë

Benzina:

  • 0.385 euro akcizë
  • TVSH 18% 0.24
  • Taksa gjithsej 0.62 euro litri, ose 73 lekë për litër.

Maqedonia e Veriut

Nafta:

-Akcizë 15.5 dinarë për litër, 0.254 euro

-Taksë mjedisi 0.3 dinarë litri, 0.05 euro

-Taksë mbi stokun 0.3 dinarë litri, 0.05 euro

-TVSH 18% 0.24 euro/litër

-Gjithsej 0.5 euro litër ose 58.5 lekë për litër

Benzina

-22 dinarë litri akcizë, 0.36 euro

-Mbi stokun 0.89 denarë, ose 0.015 euro

-Për ambientin 0.8 denarë, ose 0.013 euro

-Tvsh 18% 0.23 euro

-Gjithsej 0.59 euro, ose 69.3 lekë.

Në Shqipëri

Nafta:

-Akcizë 38.2 lekë

-Taksë karboni 3 lekë

-Taksë qarkullimi 27 lekë

-Tvsh 20% 41.3 lekë

-Taksë, markimi, skanimi, kolaudimi pompave dhe gjithë taksat lokale (rilicencimi, trualli, ndërtesa, reklama) 10 lekë për litër

-Total 119.5 lekë për një litër naftë.

Benzina:

-Akcizë 38.2 lekë

-Karbon 1.5

Qarkullim 27

-Tvsh 33.5

-Dhe të tjera 8.5

-Total, 108.7 lekë për litër.

Në total, në Shqipëri paguhen taksa 47 lekë  dhe 36.5 lekë për litër përkatësisht për naftën dhe benzinën më shumë sesa në Kosovë. Në krahasim me Maqedoninë e Veriut paguhet përkatësisht për naftën dhe benzinë 61 dhe 39.4 lekë më shumë. Taksat e paguara më tepër arrijnë deri në 2.5 herë më shumë.

Sipas Aliajt, nëse zbritet diferenca në taksa, në Shqipëri nafta e tregtuar me 248 lekë do të ishte shitur me 187 lekë, nga 193 që tregtohej në Maqedoninë e Veriut.

Në krahasimin me Kosovën, çmimi do të ishte 201 lekë, nga 205 lekë që e tregtonte Kosova.

“Nëse duhet të rregullohet çmimi i karburanteve në Shqipëri mund të gjykohet se nga vijnë çmimet e larta në Shqipëri. Vetëm sipërmarrja nuk ka gjë në dorë, por përkundrazi, ndryshe nga akuzat që i bëhen aplikon çmimet më të drejta në rajon. Të gjithë idetë me borde apo ende vetëm prishin tregun, krijojnë vështirësi të pakonceptueshme për operatorët ekonomikë, pasi kushdo mund të mendojë për ato pika karburante që dje u furnizuan me çmime 9 lekë më të larta sesa sot dhe duke korrigjuar menjëherë çmimin sipas bursës, konceptoni vetë se çfarë gjende u krijon në humbej. Ndaj është mirë që tregu të lihet i lirë. Me këto mënyra nuk po lejohen që të formojmë çmimin për çdo artikull siç e përcakton ecuria e tregut, duke amortizuar në mënyrë të avashtë të gjithë goditjet e çmimeve që japin bursat me plus minus sidomos në këtë periudhë me luhatje kaq të mëdha”, pohon Aliaj.

160 milionë euro mblidhen nga taksa e qarkullimit, por pak përdoren për mirëmbajtjen e rrugëve

Të ardhurat nga taksat e automjeteve, duke përfshirë edhe taksën e qarkullimit mbi karburantin, arritën 26.7 miliardë lekë (217 ) milionë euro në vitin 2021 me një rritje 13% në krahasim me vitin 2020, sipas të dhënave zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.

Nga vlera e totale e taksave që paguan automjetet, 73 për qind (rreth 160 milionë euro) ishin të ardhura që u siguruan nga arkëtimet e taksës së qarkullimit. Kjo është një nga taksat që rrit ndjeshëm çmimin final të naftës, që paguhet nga konsumatori.

Të ardhurat nga taksa e qarkullimit u rriten me 15.6 për qind në vitin 2021, kryesisht prej rritjes së konsumit pas pandemisë Covid-19.

Taksa e qarkullimit e cila vilet tek nafta ka si qëllim grumbullimin e fondeve për të investuar dhe mirëmbajtur infrastrukturën rrugore të vendit, po qeveria shqiptare historikisht ka investuar në mirëmbajtjen e infrastrukturës rrugore shumë më pak se arkëtimet. Fondet e brendshme për mirëmbajtjen e infrastrukturës rrugore me 2021 ishin 1,1 miliardë lekë ose 18 herë më të ulëta se të ardhurat nga taksa e qarkullimit.

/Monitor.al