Hapja e basteve sportive, ironia e akademikut Fuga: Si të mirëmbash një manastir me lekë nga prostitucioni

Akademiku i njohur Artan Fuga iu është bashkuar reagimeve të mëdha që solli vendimi për hapjen online të basteve sportive. ka dalë kundër teorisë për hapjen e basteve me pretendimin se paratë e fituara nga ky aktivitet do të zhvillojnë sportin.

Ndonëse qeveria pretendon se ky aktivitet do të zhvillojë sportin, Fuga përmes një mesazhi në rrjetin social ‘Facebook’ thekson se është njësoj si të mbështetësh virtytin me anë të vesit.

“Si të mbështetësh prodhimin e filmave edukativë me gjobat që iu vihen videove pornografike me fëmijë! Sa më shumë video pedofilie, aq më shumë gjoba, aq më shumë filma edukativë për fëmijë!”, shkruan Fuga në statusin e tij.

MESAZHI
Turp që kemi pasur turp!
Të financosh sportin si politikë publike me lekët e marra nga taksat e industrisë të basteve online, është si të mbështesësh virtytin me anë të vesit!
Si ta them?
Si të mbështetësh prodhimin e filmave edukativë me gjobat që iu vihen videove pornografike me fëmijë! Sa më shumë video pedofilie, aq më shumë gjoba, aq më shumë filma edukativë për fëmijë!
Ose sikur të mbështesësh mirëmbajtjen e rrugëve me lekët e gjobave të shoferave të dehur apo të traktorëve që ecin kundravajtje në rrugë!
Sa më shumë traktorë në rrugë, aq më shumë gjoba, aq më shumë parà për të mirëmbajtur rrugët!
Babi lekët për librat dhe bibliotekën për fëmijët, ose për t’u blerë atyre kompjuter të lidhur në Internet, i bën rrush e kumbulla në baste, dhe me ato lekë fëmijën e mbetur pa kulturë kur të rritet e bëjmë tifoz futbolli!
Me një fjalë si të mirëmbash një manastir me lekë nga prostitucioni!
E gjitha mbrapsht! Dhe dëgjojmë pastaj fjalën “Turp” që kemi pasur turp dhe kemi mbetur pas me zhvillimin e sportit pa baste!
Turp që kemi pasur turp!
Lëre kur edhe kultura do u financoka nga lekët e taksave për bastet!!! T’ja plasësh gazit me vaj medet!!! Imagjinoni një film që trajton vuajtjen e një fëmije shqiptar që në shtëpi nuk ka asnjë mjet kulture, sepse buxhetin e bën babi rrushekumbulla, të financohet nga lekët e basteve!!!
Thënë këto, kuptohet që nuk kam asgjë me industrinë e basteve, madje me asnjë lloj industrie që fiton parà nga veset njerëzore, edhe nga striptiza, vuajerizmi, masturbimi, a çdo gjë tjetër.
Kushdo t’i harxhojë lekët e veta sipas qejfit! Kuptohet nëse i ka ato lekë!
Po turp që shteti të adresojë specifikisht që lekët e basteve zhvillojnë sportin!
Imagjinoj një portier në lojë: Aloooo, bastet??? He mo ta pres këtë penalltinë apo jo?