Situata në vend/ Shkarkohet drejtori i Policisë së Shtetit Gledis Nano, ministri Çuçi: Nuk realizoi objektivat!

Shkarkohet drejtori i Policisë së Shtetit Gledis Nano. Policia e Shtetit do të drejtohet përkohësisht nga nëndrejtori i Policisë Tonin Vocaj.

Vendimi është marrë në mbledhjen e sotme të qeverisë. Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi deklaroi sot se Nano nuk përmbushi objektivat.
“Sot qeveria mori vendim për shkarkimin e Drejtorit të Përgjithshëm të drejtorit të Policisë, shkarkim i cili lidhet me mospërmbushjen e objektivave që kishim vënë në lidhje me drejtorin e përgjithshëm të policisë dhe kryesisht lidhet me situatën e krijuar në muajt e fundit, situatë që normalisht kërkon një reagim më të fortë dhe një menaxhim më efikas të Policisë së Shtetit. Për momentin detyrat do t’i ushtrojë nëndrejtori i përgjithshëm i Policisë dhe shumë shpejt besoj që do t’ju lajmërojmë dhe për emërimin e drejtorit të ri të Policisë së Shtetit”, deklaroi Çuçi.
I pyetur nëse kjo do të zgjidhte situatën në vend, kur zinxhiri i Policisë Kufitare në Vlorë që u tha se u shkarkua pas ngjarjes në Himarë është rikthyer sërish në detyrë, Çuçi tha se puna do jetë e gjithanshme, por këto që përmendët kanë qenë dhe një nga arsyet kryesore që Policia e Shtetit dhe drejtuesi i Policisë së shtetit kërkon një reagim më të fortë ndaj këtyre fenomeneve dhe një menaxhim më efikas.