Lotaritë dhe bastet sportive në Shqipëri zyrtarisht janë të ndaluara që nga 1 janari i 2019- ës.
Edhe pse ky biznes është i ndaluar, në mënyrë ilegale ka vepruar si biznes, gjë të cilën e vërtetojnë edhe të ndaluarit e shumë nga policia për ushtrimin e kësaj veprimtarie të paligjshme.
Për t’i dhënë fund ushtrimit ilegal, por edhe si një mundësi ndihmese kryesisht për sportin në vendin tonë nga normat e fitimit dhe vjelja e taksave, prej muajsh është ndërmarrë një fushatë e gjerë për rihapjen dhe legalizimin e lotarive sportive në vendin tonë.
Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli, është flamurtari i kësaj fushate, por që është mbështetur edhe nga presidentët e federatave të ndryshme sportive në vendin tonë.
Thirrjet dhe kërkesat ndaj qeverisë dhe Parlamentit kanë qenë të shumta nga përfaqësues të ndryshëm të sporteve. Ndaj, në kuadrin e dëgjesave publike me promotorët dhe të interesuarit e kësaj iniciative, pritet që gjatë paradites së martës, rreth orës 11:00, të zhvillohet një takim mes palëve dhe kryeministrit Edi Rama.
Në këtë takim, përveç kryeministrit, pritet që të përfshihet edhe Ministria e Financave, Ministria e Arsimit dhe Sporteve, presidenti i KOKSH-it dhe përfaqësues të federatave të ndryshme. Në këtë takim do të marrin pjesë edhe anëtarët e Këshillit të Lartë të Sporteve, organ i cili është formatuar para një muaji. Këshilli i Lartë i Sportit është organkëshillimor, pranë ministrit përgjegjës për sportin, i cili merr pjesë në hartimin dhe zhvillimin e politikave për sportin.
Edhe pse ky këshill është miratuar prej javësh, ende nuk është zbardhur lista e plotë, gjë e cila vërtetohet edhe po të hysh ne faqen e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.
Gjithsesi, nga takimi i parë i këtij këshilli janë parë të pranishëm ish-kapiteni i Kombëtares Lorik Cana, presidenti i FSHF-së Armand Duka, presidenti FSHB-së Avni Ponari, presidenti i FSHV-së Erlind Pëllumbi, gazetari sportiv Dëfrim Methasani, kryetari i Dhomës së Tregtisë, Nikolin Jaka.
Këto personalitete por edhe pjesëtarët e tjerë të këtij këshilli pritet që të jenë nesër në takimin këshillimor me kryeministrin Edi Rama dhe ministrat përgjegjës të linjës që kanë lidhje me hapjen e biznesit të basteve sportive.