Personi që shihni në foto është Ben Sula, 45-vjeçari nga Rrogozhina i arrestuar në Sarandë për vjedhje, kryesisht ambiente ku qëndronin turistët.
Foto të hajdutit serial që për gati 2 muaj u kthye në makthin e shumë banorëve të lagjes nr.1 të qytetit të Sarandës, kryesisht të zonës Turizëm – Kanali i Cukës u bënë virale në media.
Sula pasi vrojtonte dritare apo ballkone të hapura, menjëherë kacavirrej e hynte brenda duke mos pyetur për lartësi, deri sa arrinte qëllimin përfundimtar, vjedhjen.
Ai dyshohet për 22 vjedhje, nga këto 19 të pohuara nga ai vetë. Shuma të mëdha të përfituara, deri në 1.5 mln lekë të reja në vetëm një banesë, ndërkohë që llogaritet që nga paratë cash dhe bizhuteritë e sendet me vlerë të vjedhura gjatë këtij sezoni dhe atij të kaluar, të ketë përfituar rreth 50 mijë euro.
Në disa raste, teksa ka gjetur banorët në gjumë, u ka hedhur atyre sprai me piper për të mos pasur mundësi reagimi edhe nëse zgjoheshin, por që në shumicën e rasteve, sipas policisë, ka hyrë e ka dalë pa u vënë re nga askush, edhe pse mund të ketë kaluar para këmbëve të të paktën 5 personave që po flinin.