Nga Qemal Lame
Pjesë nga libri “Miq dhe armiq”
Në rast se Enveri dhe Ramizi do të kishin me të vërtetë mendimin se Mehmeti u tregua “i butë”, atëherë do të kishin mbajtur edhe qëndrime po kështu “të buta” për të gjykuar shokun e tyre. Me sensin e arsyes ata do të vlerësonin edhe fajësinë dhe do të kërkonin një qëndrim objektiv edhe nga anëtarët e tjerë në diskutimet ndaj aktit të Mehmetit, i cili nuk kishte respektuar normat e partisë, por i shkeli ato me ndërgjegje, duke miratuar mendimin e djalit të tij. Në vazhdim të logjikës së “butësisë” që pretendon Ramizi, nuk kishte asnjë arsye që të ishte agravuar aq shumë situata politike dhe faji i Mehmetit.
Mbledhjet dhe kritikat në masë do të ishin kuptuar dhe mirëkuptuar edhe nga vetë Mehmeti. Pra, nuk kishte arsye që ato ta çonin atë në vetëvrasje. Pretendimi për vetëvrasjen arsyetohet më tej me hipotezat e vrasjes dhe të dhënat e publikuara nga gazeta jugosllave. Argumentet për vetëvrasje ballafaqohen me dyshimet për vrasje të organizuar politike. Në analizën e mendimeve të tij evidentohet edhe një herë se Ramizi do që ngjarja të kuptohet si vetëvrasje dhe dyshimet për vrasje të mbeten vetëm fantazi.
Intrigë e thënë me kujdes dhe e formuluar me ndjenja, por nuk pasqyron me sinqeritet të vërtetën. Kuptohet se ka pasur si qëllim që të propagandojë në interesin e tij, të manipulohet opinioni publik, të fshihen qëllimet për të cilat deklaron dhe të mbetet në histori ashtu si ai dëshiron. Shpjegimet e Ramiz Alisë duhen analizuar bashkë me faktet konkrete dhe zhvillimin e ngjarjeve të asaj kohe, si dhe të atyre të mëvonshme. Ai nuk e ndryshoi qëndrimin e tij për gjithë periudhën që Enveri ishte gjallë, si dhe pas vdekjes së tij, kur mori pushtetin kryesor dhe kishte të gjitha mundësitë për të ndryshuar, në rast se do të kishte me të vërtetë mendimin për vlerësimin e kontributit të Mehmetit, pa nënvleftësuar edhe gabimet e tij.
Analiza e shpjegimeve të Ramiz Alisë tregon se si ai ndalet dhe thekson momentet më të rëndësishme duke i ilustruar edhe me episode të veçanta, që direkt apo indirekt të nxisin mendimin për refleksione në interes të vlerësimit të pozitës së tij në kushtet e atëhershme politike, ligjore dhe shoqërore, të reflektimit në kuptimin e qëndrimeve aktuale, si dhe të vlerësimeve historike e përcaktimeve që do të bëhen ose mund të bëhen në të ardhmen për personalitetet e kësaj kohe. Vlerësimet e larta pozitive për Mehmetin bëhen për herë të parë dhe pas tridhjetë vjetësh të vdekjes së tij.
Në rast se kjo masë do të kishte qenë e mjaftueshme, atëherë do të kishte përfunduar mbledhja dhe do të kishte qenë një mundësi ku të demonstrohej miqësia dhe vazhdimësia e saj në të ardhmen. Fatkeqësisht situata u rëndua edhe më shumë ndaj Mehmetit dhe përfundoi me tragjedinë ndaj tij dhe familjes së tij.
Ramiz Alia dëshmon në interes të tij
Ramiz Alia dëshmon për historinë siç do të dëshironte të ishte në interes të tij, me qëllim fshehjen e së vërtetës dhe të përgjegjësisë e fajësisë direkte të tij. Pas largimit nga pushteti, Ramizi u kujdes për të dëshmuar publikisht dhe shkruar për të krijuar një imazh tjetër politik që të fshihte sa mundej të vërtetën, përgjegjësitë e fajet e tij. Libri “Unë, Ramiz Alia, dëshmoj për historinë” është e nevojshme që të analizohet me vëmendje për të dalluar qëndrimet e mbajtura në kohën e zhvillimit të ngjarjeve dhe interpretimeve që bëhen duke i publikuar me koherencën e interesave të tij për të lënë mendimin më të përpunuar të tij.
Si falsifikator i njohur i historisë, ai ka dhënë mendime për ngjarje të rëndësishme, ku veprimtaria e tij ka qenë përcaktuese dhe përgjegjësia deri edhe penale e dokumentuar. Ramizi ka shkruar ashtu siç mendon në vitin 1992 dhe si do të dëshironte që të vlerësohej pas largimit nga pushteti e politika dhe siç ëndërronte të mbetej në të ardhmen në histori. Ai, me qëllime të qarta, përpiqet t‘u japë kuptime të tjera ngjarjeve për të vënë në fokus “rreziqe të kaluara për qëndrime liberale”, megjithëse ka drejtuar propagandën e luftës së klasave dhe ka urdhëruar dënimet me vdekje dhe demonstrimin e kufomave para popullit për të ngjallur frikë dhe për ta nënshtruar.
Kjo manovër gazetareske me përmbajtje të thellë politike bëhet me qëllim që të lehtësojë përgjegjësinë direkte për fajet dhe gabimet në karrierën e gjatë politike, si dhe si autor kryesor e bashkëpunëtor me Enver Hoxhën i krimeve të organizuara shtetërore në goditjen e grupeve komplotiste. Por historia ka shumë dokumente dhe të dhëna që ai nuk mund t‘u ndryshojë apo deformojë përmbajtjen. Historia dëshmon të vërtetën objektive të qëndrimeve, gabimeve dhe fajeve e përgjegjësive të tij, ashtu si edhe kontributin real në të kaluarën, që nga Lufta Nacionalçlirimtare dhe deri në ndryshimin e sistemit politik nga socializmi në kapitalizëm.
Fajet e Ramiz Alisë janë më të rënda dhe më të shumta se kontributet e tij. Edhe kur kishte mundësi të vepronte për të ndryshuar të kaluarën në kushtet e krijuara si kryetar i shtetit, ai vazhdoi politikën e vjetër, duke e maskuar me makijazhin e disa reformave formale demokratike të bëra në mënyrë sipërfaqësore për të zbutur presionin e politikës së shteteve perëndimore dhe ushtruar dhunë të hapur e të fshehtë ndaj popullit dhe kundërshtarëve të tij politikë.
Me këtë këndvështrim është e nevojshme të analizohet edhe qëndrimi i fundit i Ramiz Alisë për letrën-testament të Mehmet Shehut. Letra e botuar është e domosdoshme që të ketë të sqaruar mirë origjinalitetin dhe autorësinë. Pasi të krijohet bindja e plotë, ka rëndësi që përmbajtja e letrës të analizohet e krahasohet me pasazhet kryesore të deklaruara gati dhjetë vjet më pas prej Ramiz Alisë.
Përmbajtja e plotë e Letrës së fundit të Mehmet Shehut nuk mund të vlerësohet e plotë me mendimet e mëvonshme të Ramiz Alisë, i cili ka qenë ndër personazhet kryesore të asaj kohe dhe përbën objekt të akuzave të rënda edhe në letër. “Hrushovi” dhe “Jagua” me veprimet e tyre të mëvonshme vërtetuan se Mehmet Shehu kishte bërë vlerësime objektive ndaj tyre. Analiza e njëkohshme e këtyre dy burimeve ndihmon të kuptohen rrethanat e ngjarjeve për të nxjerrë më qartë njëkohësisht grupimet dhe shtrirjen e konflikteve të brendshme, luftën për pushtet brenda udhëheqjes, manipulimet e politikës në piramidën e sistemit politik, intrigat në Bllokun e blinduar e të fortifikuar.
Kështu kuptohet dhe sqarohet e vërteta për Mehmet Shehun dhe u jepet me objektivitet përgjigje pyetjeve: u vra, vrau veten, apo u shty në marrjen e atij vendimi, apo u inskenua nën pretekstin e një gabimi politik të djalit të tij prej pretendentëve rivalë për fronin e tij dhe të Hoxhës. Enver Hoxha ka propozuar si kryeministër Kadri Hazbiun!? Kjo është një tjetër manovër politike që demaskon akuzat dhe falsifikimet për eliminimin me vdekje të tij. Kadri Hazbiut i merret mendimi për t‘u emëruar kryeministër kur ai dyshohej me akuzat për marrjen e pushtetit pas vdekjes së Enver Hoxhës dhe përgatitej në fshehtësi dënimi dhe eliminimi i tij si bashkëpunëtor në komplotin e kryesuar nga Mehmet Shehu Ramizi vë në dukje se Enveri ka propozuar i pari për Kadriun si kryeministër.
Për këtë qëndrim me shumë përgjegjësi dhe rëndësi për të ardhmen Ramizi ka vënë në dukje thëniet e Enverit: “Mendoj që t’i propozoj Byrosë Politike që kryeministri i ardhshëm të jesh ti, Kadri!”. Kadriu, që nuk e priste një gjë të tillë, pasi tha se kjo është një përgjegjësi e madhe për mua, propozoi që, në këtë rast, do të ishte më mirë të bëhej kryeministër A. Çarçani, “i cili ka edhe përvojë në drejtimin e qeverisë”. Kështu mbeti.
“Dy a tri ditë pas vetëvrasjes së M. Shehut, gjatë një takimi me 4-5 shokë të Byrosë Politike Enveri tha se tani duhet menduar për caktimin e një shoku në postin e kryeministrit. Dhe aty për aty tha: “Mendoj që t’i propozoj Byrosë Politike që kryeministri i ardhshëm të jesh ti, Kadri!”. Kadriu, që nuk e priste një gjë të tillë, pasi tha se kjo është një përgjegjësi e madhe për mua, propozoi që, në këtë rast, do të ishte më mirë të bëhej kryeministër A. Çarçani, “i cili ka edhe përvojë në drejtimin e qeverisë”. Kështu mbeti, që A. Çarçani t’i propozohej Byrosë për postin e kryeministrit.”