Kryeministri Edi Rama deklaroi se në muajin shtator do të jetë gati ligji për Gradat sportive, që do të shkojë në Kuvend.
Rama gjatë ceremonisë për boksierin Florian Markun, nuk la pa përmendur dhe shigjetoi me akuza PD-në.
“Është Floriani që e nderon këtë godinë me praninë e tij, siç ishte Luiza. Unë dhe ne jemi të nderuar që të ndajmë disa momente. Ne do të bëjmë të njëjtën gjë për të gjithë ata që do i sjellin Shqipërisë medalje. Do më falni, po i marr leje dhe Florianit, para se t’i dorëzoj yllin e madh të mirënjohjes publike, se sot ndryshe nga çfarë u tha dhe u stërtha në momentin e triumfit të Luizës, nuk ka më në Shqipëri protagonistë të sportit të braktisur, por një sistem mbështetje miratuar me një VKM, kohë më parë. Vitin e shkuar e kanë përfituar shpërblimin e parashikuar nga VKM për rezultate të spikatura, 14 protagonistë. Në vitin ku jemi deri tani e kanë përfituar 44. Sot nuk ka vetëm shpërblime për kampionët ndërkombëtar të Shqipërisë, por dhe për shqiptarët e Kosovës, e për këtë arsye kemi në Ministrinë e Mbrojtjes dy kampionet Olimpike të Kosovës.
Ndërkohë që për të ardhur keq realisht, teksa celebronim Luizën, shumëkush derdhte vrerin e një mllefi të verbër duke na treguar si është braktisur Ilir Suli. Teksa rrisim mundësitë, rrisim dhe progresin. Jemi në vazhdimësi të hapur. Sot kemi një ligj në fazën e diskutimit. Një ligj që do të shkojë në Parlament në shtator, që është ligji i propozuar nga Ministri i Mbrojtjes për t’iu dhënë grada sportivë si Luiza Gega, apo Calja. Grada do të thotë se deri në fund të jetës tyre aktive, deri në dalje në pension, këta të katërt do të jenë kolonelë. Në ministrinë mbrojtjes do të punojnë në një strukturë speciale mentorësh të ushtarëve dhe oficerëve tanë, për t’i ushqyer atyre shpirtin e kampionit. Kur flitet për sport, jemi në borxh me vendin, me rininë, pasi shumë vite kaluan dhe një gropë e madhe u hap në këtë drejtim. Kur flitet për sportin është mirë që askush nga ata të cilët jo nuk vunë një gozhdë, por e panë gropën të hapej dhe kontribuuan që kjo gropë të thellohej dhe s’kanë gojë të flasin. Ne do t’i japim një shtysë të re lëvizjes sportive duke angazhuar mbi 650 skuadra volejbolli, basketbolli, në sistemin tonë shkollor. Kampionë si Floriani janë të mirëseardhur të kontribuojmë ata që janë më të rinj, mund të ndërtojnë me mbështetjen tonë akademinë e boksit, kampionë si Luiza mund të hapin rrugën për të sjellë të tjerë pas vetes.”, tha ai.