Një ditë pas nisjes së hetimit për Ilir Metën, Ambasadorja Kim takohet me kreun e Prokurorisë së Posaçme: SHBA do të vazhdojë të mbështesë fuqishëm punën e SPAK

Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim ka zhvilluar sot një takim me me kreun e Prokurorisë së Posaçme, Arben Kraja.

Ambasadorja Kim ka publikuar një foto në Twitter, ndërsa shkruan se takimi mes tyre vjen pas kthimit të Krajës nga SHBA.

“Kënaqësi për të mirëpritur sërish shefin e SPAK-ut Arben Kraja pas vizitës së tij zyrtare në Uashington, e cila forcon më tej bashkëpunimin SHBA-Shqipëri në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. SHBA do të vazhdojë të mbështesë fuqishëm punën e SPAK dhe institucioneve të tjera të reformës në drejtësi”, shkruan Kim.

Hetimi

SPAK mori dje nën hetim kreun e Partisë së Lirisë Ilir Meta. Prokuroria e Posaçme i dërgoi një shkresë KQZ-së ku i kërkon informacione për Metën, konkretisht formularin e vetëdeklarimit.

Në KQZ mbërriti një kërkesë nga SPAK, ku kërkon një kopje të formularit të vetëdeklarimit të ish-deputetit Ilir Meta në zbatim të ligjit nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, të dorëzuar nga ish-deputeti i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, z.Ilir Metaj (Meta).

REAGIMI I SPAK 

Nisur nga interesimi i shumë gazetarëve pranë SPAK, lidhur me një kërkesë që SPAK i ka drejtuar KQZ, sqarojmë se ajo kërkesë është pjesë e hetimeve që po kryen Prokuroria e Posaçme në kuadër të procedimit penal regjistruar mbi bazën e kallëzimit të shtetasit Halit Valteri. Nuk kemi ndonjë informacion tjetër për të dhënë. Hetimet vazhdojnë.

REAGIMI I ILIR METËS 

Ish-presidenti Ilir Meta reagoi pas lajmit se SPAK nisi hetimet për të sa i takon një kallëzimi të bërë nga ish-deputetin opozitar, Halit Valteri.

“Meqënëse spurdhjaku i partisë ka vendosur t’i shërbejë hapur mafies së inceneratorëve në panik ju lutem njihuni edhe me një kërkesë tjetër serioze për karagjozët më të mëdhenj të Ramaformës. Shtatori po vjen dhe Drejtësia e Popullit nuk do ndalet më!”, shkroi Meta.

REAGIMI I HALIT VALTERIT

“Ta lëmë SPAK të kryejë hetime mbi kallëzimin e bërë. Kam shumë besim që drejtësia do triumfojë”, tha Halit Valteri.