Egnatia mund 2-0 Dinamon, merr tre pikë të arta për mbijetesë

Nuk është i treti i vërteti, nuk ka asnjë efekt as “kura” Vanoli, “nëndetësja” vijon të zhytet gjithnjë e më shumë drejt fundit duke e ndërlikuar në maksimum prezencën e tyre në elitë. 

Italiani erdhi me statusin e shpëtimtarit, për dy humbje në dy ndeshje, konfirmojnë se problemi i Dinamos është më shumë se kaq, nuk ka rëndësi se kush qëndron në krye, në pankinë.

Nëse humbja ndaj Tiranës ishte e pritshme, e lejueshme, Dinamo humbet ndeshjen më të rëndësishme, atë ndaj një rivali direkt si Egnatia. 



Në “Elbasan Arena”, rrogazhinasit siguruan një fitore të pastër 0-2, një fitore që i jep një tjetër bonus jetik në garën e tyre për të qëndruar në elitë.

Miqtë realizuan nga një gol për çdo pjesë, në limitet e çdo fraksioni. Admei me kokë në minutën e 44-të kaloi Egnatian në avantazh ndërsa në minutën e 90-të, i përhershmi Pedro Augusto, me një kundërsulm të shpejtë përfitoi edhe nga dalja e pastudiuar e Harizaj për të hipotekuar këtë fitore të madhe.