“Vetëm po vjedhin” Berisha: Rruga Ibë-Farkë po ndërtohet me 30 milionë euro kilometri, në Evropë kostoja nuk i kalon 2 mln

Ish-kryeministri Sali Berisha, atakoi këtë të martë qeverinë Rama, në lidhje me situatën ekonomike të rënduar në vend, që sipas tij ka shkaktuar emigrimin e qytetarëve jashtë vendit.

Gjatë një takimi me qytetarët në Dibër, Berisha deklaroi se qeveria abuzon me pasuritë natyrore të vendit duke bërë që prej tyre të përfitojnë vetëm oligarkët dhe jo populli.

Ai shtoi se qeveria po kryen korrupsion galopant me ndërtimin e rrugëve, ku një kilometër kushton deri në 30 milionë euro, ndërkohë që në vendet evropiane kostoja shkon në 2 milionë euro.

Në një hark kohor 7-vjeçar janë larguar 28% e këtij vendi. Jemi në rrezik të madh, jemi në shkretim. Po ikin të rinjtë, po ikën e ardhmja. A jemi ne në rrezik? Janë disa të dhëna, nëse 8-vite më para arritëm të dalim në krye në rajon për rrogat e pensionet

Kur e kemi nis 31 vite më parë unë isha president i një vendi me rrogë 16 dollarë, por arritëm ti kalojmë të gjitha vendet e rajonit. Ku jemi sot? Jemi të fundit në rajon. Janë 30% më të ulëta se në Kosovë. Nëse ka një gjë që dërrmon njerëzit është varfëria. Varfëria i topit dhe i largon njerëzit nga vendi. Ne jetojmë në një vend me rezerva dhe pasuri të mëdha. Pasuritë e këtij vendi janë shndërruar në mallkim, në vend që të pasurojnë qytetarët, pasurojnë qeveritarët. Rrallë mund të gjesh një vend me pasuritë që kemi ne. Rrogat bien se ato pasuri kjo qeveri i shfrytëzon me oligarkët dhe pasurohet vetëm qeveria dhe jo qytetarët.

Ne vendosëm rentën minerare, socialisti Edi Rama një vit më parë hoqi rentën. E blenë me valixhe ata që shfrytëzojnë minierat. Në këtë mënyrë ato miniera nuk japin asgjë, përveç atyre që humbin jetën aty. Një kilometër në Evropë ndërtohet me 2 milion euro, ndërsa në Shqipëri një kilometër ndërtohet me 24 ose 30 milionë euro. Shkoni merrni të dhënat nga Iba në Farkë, 30 milionë euro kilometri”, tha Berisha.