Futbollistë, pjesëtarë stafi, punëtorë e zyrtarë klubi. Sportdashësit shqiptarë kanë parë nga të gjitha sferat e personave pranë botës së futbollit të kryejnë shpesh rolin e përkthyesit për trajnerët apo lojtarët e huaj që vijnë në kampionatin shqiptar. Ajo që mungonte, ndodhi sot, kur për të përkthyer një futbollist, para kamerave u shfaq… bashkëshortja e tij.
Pas ndeshjes që Egnatia fitoi ndaj Dinamos me shifrat 2-0, para kamerave u shfaq, Pedro Augusto bomberi i rrogozhinasve i cili sot shënoi në këtë sfidë golin e tij të 9 në kampionatin shqiptar.
Braziliani flet vetëm në gjuhën portugeze dhe për të kuptuar atë që përgjigjej para kamerave të “SuperSport”, u desh që rolin e përkthyeses, ta bënte bashkëshortja e tij, Vanesa, e cila fliste gjuhën angleze.
Një risi, e padyshim çudia e radhës që prodhon futbolli shqiptar, i cili ka ende shumë rrugë për të bërë për të shkuar drejt standarteve që pretendohen prej tij sa i përket organizimit të klubeve në të gjithë aspektet.