Zgjidhi konfliktet me serbët e grekët, koloneli Shakaj strehohet ne azilin e Kavajës, apel shtetit: Më jepni një banesë sociale!

Shtëpia e të Moshuarve “Sefer Dervishi” në Kavajë është streha prej një viti e Eqerem Shakajt.

Në kohën e komunizmit, kolonel me kontribute në zgjidhjen e disa incidenteve kufitare me Serbinë, Malin e Zi dhe Greqinë.

Ai tregoi për News 24, se në vitin 1970, në Tropojë ish-Jugosllavia kishte kryer gërmime të thella në nëntokën shqiptare, duke marrë për shfrytëzim prej vitesh miliona ton krom.

Kur e kuptuan, Ministria e Brendshme ngriti një grup pune me në krye Shakajn, i cili ndërmjetësoi me fqinjët për zgjidhjen e problematikës.

Një incident i ngjashëm ka ndodhur dhe në Dropull, fare pranë kufirit me Greqinë. Pala greke, ishte futur në territorin shqiptar dhe po tentonte të ndërtonte një kishë. Edhe këtë herë, ndërmjetësuesi për zgjidhjen e incidentit do të ishte Eqerem Shakaj.

Vitet e demokracisë, e gjetën kolonelin me kontribute e nderime të larta pa shtëpinë ku kishte jetuar prej 40 vitesh. Shtëpisë ku banonte, i doli pronari.

Ai u hodh në rrugë, duke u ushqyer me paratë që fitonte nga mbledhja e rigonit dhe bimëve medicinale maleve të Shqipërisë, ndërsa për vite të tëra, ka shitur edhe gazeta në rrugët e kryeqytetit.

Mirëpo vdekja e bashkëshortes para një viti, e la kolonelin të vetëm e pa shtëpi. Ai u largua nga shtëpia ku qëndronte me qira dhe me fëmijët në kushte të vështira ekonomike, u detyrua të strehohej në Shtëpinë e të Moshuarve Kavajë.

Ai, me lot në sy ka një apel për qeverinë, që vitet e fundit të jetës t’i kalojë në një banesë sociale.


Video 👇

https://youtu.be/hcKjXxnQJZM