Bashkia e Kavajës nderon mjekun Arben Rrugia me titullin e lartë “Qytetar Nderi”

Bashkia e Kavajës ka nderuar ne titullin e Lartë “Qytetar Nderi” mjekun e njohur Arben Rrugia.

Përmes një ceremonie, Kryetari i Bashkisë Kavajë Redjan Krali i ka dorëzuar personalisht titullin e Lartë në një ditë të veçantë, 50 -vjetorin e lindjes.

Mesazhi i Kryetarit Redjan Krali:

Në 50- vjetorin e lindjes, mirënjohja e qytetit që e lindi dhe e rriti ishte një dhuratë e veçantë për Doktor Arben Rrugia!

Kontributi i tij i vyer ka kaluar përtej profesionit në të cilin ka shkëlqyer në të gjitha vitet e tij të karrieres. Me humanizmin, përkushtimin dhe ndihmën e pakursyer për “dhuratën” më të bukur me të cilën bekohet çdo familje ka fituar mirënjohjen dhe zemrat e bashkëqytetarëve dhe jo vetëm.

Sot isha i nderuar t’ja dorëzoja personalisht Titullin “Qytetar Nderi” në një ceremoni modeste me biseda të vyera.

#HistoriSuksesi
#Respekt
#KavajaKrenare❤️

Më herët Presidenti i Republikës Ilir Meta dekoroi me titulli “Mjeshtër i madh” doktor Arben Rruginë, për vlera të larta profesionale e njerëzore në shërbim të shoqërisë.

Për një kontribut të vyer si obsteter- gjinekolog, drejtues i spitaleve të rëndësishme në Shqipëri, nismëtar dhe krijues i urave të bashkëpunimit me strukturat spitalore më të njohura në mbarë botën, për veprimtarinë e ndritshme në mjekësi dhe humanizmin, për vlerat e larta profesionale e njerëzore doktor Arben Rrugia është vlerësuar nga Presidenti i Republikës  me titullin “Mjeshtër i madh”, në prani të familjarëve dhe miqve.

/Kavaja.Net