Duke iu referuar atentateve të fundit që tronditën vendin në vetëm pak orë, PD thotë se gjendja kriminale ka arritur në nivele të paimagjinueshme.
Në një deklaratë për mediat, shefi i Organizimit Klevis Balliu tha se vendi është kthyer në një fushëbetejë të bandave, “të cilat edhe nëse nuk kanë mbrojtjen e qeverisë, kanë ‘lejen’ e Edi Ramës: ‘hëngshi kokat’!”.
Deklaratë e Shefit të Organizimit Klevis Balliu
Në Ukrainë në 24 orë u vranë 11 civile, thënë ndryshe 1 vrasje për 4 milion banorë.
Në Shqipëri në 24 orë, 4 të vrarë ose 1 vrasje për 540 mijë banorë.
Gjendja kriminale në vendin tonë ka arritur në nivele të paimagjinueshme.
Në pak muaj qytetet tona kanë përjetuar terrorin dhe dramën e 47 atentateve, në të cilat kanë humbur jetën 24 persona dhe janë plagosur 23 të tjerë.
Vendi është kthyer në një fushëbetejë të bandave, të cilat edhe nëse nuk kanë mbrojtjen e qeverisë, kanë ‘lejen’ e Edi Ramës: ‘hëngshi kokat’!
Partia Demokratike, e cila ka rekord serioz, pozitiv dhe të pathyeshëm në luftën kundër bandave, bën sot një apel kombëtar: bandat luftohen duke i burgosur jo duke i lënë ta kthejnë Shqipërinë në Far West, duke rrezikuar jetën, sigurinë, shëndetin psikologjik të qytetarëve.
Shqiptarët nuk mund të jenë një ‘dëm anësor’ në luftën e bandave.
Shqiptarët janë përballur me pamje të tmerrshme, nga shpërthimet me tritol si ai i datës 11 Qershor, te vrasjet e dyfishta dhe trefishta, siç ishin rastet e Fushë Krujës, Vlorës dhe Elbasanit.
Gjendja kriminale në Shqipëri është kthyer në problem edhe për partnerët tanë europianë.
Raportet ndërkombëtare si ai i “Numbeos” e vënë Shqipërinë të dytën e Europën Jugore.
Raporti i Departametit të Shtetit i datës 2 Mars evidenton se krimi i organizuar në vendin tonë ka arritur nivele të larta.
Kryeprokurori i Antimafias Italiane ka deklaruar se fuqia e bandave shqiptare vjen nga lidhjet e ngushta me qeverinë dhe në veçanti evidenton pastrimin e parave në fushën e ndërtimit, çka ka sjellë dhe rritjen e çmimeve të apartamenteve.
Ndërkaq inkriminimi i institucioneve të shtetit shqiptar, në veçanti të Policisë, ka minuar ne themel luftën ndaj bandave.
Partia Demokratike dënon ‘paktin me të keqen’ të Edi Ramës duke u lënë fushë të lirë bandave në aktivitet kriminal dhe larje hesapesh.
Me një qeveri të cilën banditët e konsiderojnë bandite si veten, Shqipëria është në rrezik.