“Do kthehemi në një azil të madh”, Dashnor Sula: Mbi 5 mijë të rinj ikën në Angli me gomone në 2022

Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula me një koment në Facebook ka analizuar krizën e ikjes së trurit që ka prekur Shqipërinë dhe raportet e mediave ndërkombëtare, të cilat s’ka ditë që të mos publikojë shifra të frikshme të emigrimit të rinisë në vend.

Duke u ndalur kryesisht te largimi i mbi 5 mijë shqiptareve vetëm gjatë 8 muajve të vitit 2022 për në Britaninë e Madhe me gomone, Sula shprehet se vendi po rrudhet çdo ditë, dhe qeveria nuk shfaq asnjë shqetësim.

“Nga Janari deri në Maj 2022 kishte 3850 kërkesa për azil, me një rritje 100% në krahasim me 2021”, shkruan ai provuar me shifra katastrofën që po ndodh.

Postimi i Deputetit Sula

Nuk ka ditë që në mediat e huaja dhe ato shqiptare të mos ketë lajme lidhur me numrin e atyre që lënë vendin për një jetë më të mirë në Europë, por edhe përtej kontinentit.

Shifrat e fundit, të frikshme natyrisht, vijnë nga Anglia ku ministria e Mbrojtjes së këtij vendi ka raportuar se vetëm këtë vit mbi 5 mijë shqiptarë kanë rrezikuar jetën duke marrë gomonen për të kaluar kanalin e La Manshit që lidh Francën e Britaninë e Madhe. Akoma më e rëndë bëhet situata, kur autoritetet britanike raportojnë se vetëm të mërkurën e kaluar më shumë se gjysma e 600 personave që morën gomonet për në Ishull, ishin nga Shqipëria.

Vendi ynë po rrudhet çdo ditë e më shumë dhe për këtë qeveria duket se nuk është aspak e shqetësuar. Me logjikën e kryeministrit “përzëmë shqiptarët dhe sjellim bangladeshasit” qeveria po ua bën çdo ditë e më të vështirë jetën qytetarëve të saj, saqë i detyron ata, njësoj si në 1997, të marrin gomonet dhe të rrezikojnë jetën për të parë një të ardhme të bardhë për fëmijët e tyre.

Ndryshe, nuk kishte si të kuptohet kjo “heshtje” e Qeverisë përballë këtyre shifrave që bëjnë të ulërasë i madh i dhe i vogël.

Në 10 vitet e fundit 600 mijë persona të larguar nga Shqipëria.

Nga Janari deri në Maj 2022 kishte 3850 kërkesa për azil, me një rritje 100% në krahasim me 2021.

77% e atyre që kanë aplikuar për azil në 2021 e kishin për herë të parë, çka do të thotë se sot, askush nuk po e mendon me dy herë, por të ikë sa më shpejt nga sytë këmbët.

Edi Rama dhe shpura e tij e mbulojnë këtë dështim 9 vjeçar me propagandën e Tiranës, a thua se vetëm në Tiranë ka jetë e jetohet. Mjafton të shkoni jo më shumë se gjysmë ore larg Tiranës për të parë se fshatrat po shuhen një e nga një, qytetet po boshatisen e nuk do të jetë e largët dita, kur nëpër to, do të ketë vetëm pensionstë, pasi të tjerët do na kenë lënë shëndenë.

Të vetmit që nuk do largohen do jenë kryeministri me ministrat e tij, të cilët çdo ditë mendojnë vetëm të siguruar ekonomikisht fëmijët e tyre e nuk u bën përshtypje hic që familja shqiptare po shkatërrohet, që njerëz të kualifikuar, të aftë profesionalisht po lënë vendin pa e menduar dy herë dhe që Shqipëria brenda një kohe të shkurtër do të kthehet në një “azil të madh”, që sytë i ka nga emigracioni.