Ish-kryeministri Sali Berisha i ka konsideruar bordet e transparencës për çmimet e naftës dhe ushqimeve, si mekanizma qeveritare për të vjedhur dhe plaçkitur shqiptarët.
Gjatë konferencës për mediat, Berisha tha se çmimet e naftës në bursa, janë ulur nën nivelin e 6 muajve më parë kur nisi lufta në Ukrainë.
Ndërkohë që në vendet e tjera çmimi i naftës është ulur, vijon Berisha, në Shqipëri bordi e rrit me 5 lekë.
”Bordet janë antikushtetuese dhe antiligjore që mbajnë çmimet e larta vetëm e vetëm për të plaçkitur dhe varfëruar qytetarët. Dua t’i sqaroj qytetarët që në rast se një litër vaj kushtonte 130 lekë dhe sot kushton 400 lekë, në çmimin e mëparshëm paguhej për një litër, 20 lekë TVSH. Me çmimin aktual paguhet 80 lekë për TVSh. Ky është mekanizmi pse mbahen çmimet e larta. Kështu i vjedh qytetarët. Nafta ka zbritur nën vlerat që ka pasur 6 muaj. Shitet me 0.9 dollarë në SHBA, shitet me 1 dollarë në Kanada, shitet me 150 lekë në Mal të Zi, rritet në Shqipëri në mënyrën më cinike dje, dhe bëhet 230 lekë.
Është një mekanizëm për të varfëruar, vjedhur qytetarët shqiptarë përmes naftës dhe ushqimeve bazë. Është shumë e qartë. Po afron sezoni dhe populli do flasë me Edi Ramën. Njerëzit nuk mund t’i asgjësosh në këtë mënyrë. Po varfërohen. Ky në vend se të kthejë rreth 400 mln që u ka grabitur me çmime, ua jep klientelës së tij. Nafta do të përgjysmohet barra fiskale, pastaj çmimi do zbresi nën nivelin mesatar të vendeve. Ka shumë mënyra, por do i shfaqim dora-dorës”, tha Berisha.