Bordi i Transparencës ul çmimin e naftës, një litër do të kushtojë 228 lekë. Ja sa do shitet benzina dhe gazi


Bordi i Transparencës ka vendosur të ulë çmimin e naftës dhe të benzinës. Në mbledhjen e sotme është vendosur që një litër naftë me pakicë të shitet 228 Lekë/litri nga 233 që ishte. Ndërsa benzina do të shitet me 208 lekë për litër nga 209 që ishte vendosur më parë.

Sipas njoftimit të Bordit të Transparencës i pandryshuar mbetet çmimi i gazit, i cili do te vazhdoje te jete 115 Lekë /litri.

Njoftimi i Bordit

Bordi i Transparencës i mbledhur në datë 6 Prill 2022 vendosi çmimet e reja të shitjes së karburanteve me pakicë dhe shumicë për tregun vendas. Këto çmime reflektojnë ndryshimet që janë shfaqur në tregjet ndërkombëtare.

Nisur sa më sipër, bazuar në metodologjinë e ndërtimit të çmimeve sipas nenit  21/5 të Aktit Normativ,  Bordi vendosi:

  • Miratimin e çmimit tavan të tregtimit me shumicë të produkteve për datën 06.04.2022 deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, si më poshtë:
  • 216 Lekë/litri për gazoilin;
  • 196 Lekë/litri për benzinën;
  • 103 Lekë/litri për gazit të lëngshëm të naftës.
  • Miratimin e çmimit tavan të tregtimit me pakicë të produkteve për datën 06.04.2022 deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, si më poshtë:
  • 228 Lekë/litri për gazoilin;
  • 208 Lekë/litri për benzinën;
  • 115 Lekë /litri për gazit të lëngshëm të naftës.*( çmimi i shitjes për gazin e lëngshëm të automjeteve do jetë çmimi i furnizimit në stacionet e furnizimit në pikat e karburanteve, ndërkohë që në pikat e tjera për konsumatorët familjarë dhe industrial çmimi nuk duhet të përfshijë akcizën).
  • Vendimi i Bordit hyn në fuqi  dhe do reflektohet në datë 06.04.2022, ora 18.00 p.m, deri në mbledhjen e ardhshme të bordit, me qëllim pasqyrimin në çmimin e shitjes me pakicë të këtyre nënprodukteve, të ndryshimeve të mundshme të çmimeve në tregjet ndërkombëtare.
  • Çdo operator i shitjes me shumicë dhe pakicë i nënprodukteve të naftës është i detytuar të zbatojë Vendimin e Bordit të Transparencës, në lidhje më çmimet e shitjes me shumicë dhe pakicë.

Organet ligjzbatuese do të kontrollojnë zbatimin e vendimeve të Bordit të Transparencës çdo ditë.

Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullim aktiviteti,heqje licence dhe sekuestrim.