Kishte humbur kontaktet me familjarët, gjendet pas disa orësh kërkime kryesekretarja e Gjykatës! Merret në pyetje nga policia


Klaudia Marku, kryesekretarja e Gjykatës së Lezhës e cila kishte humbur kontaktet me familjarët është gjetur pas disa orësh kërkime.

Panorama.al mëson se ajo është shoqëruar në komisariat ku po merret në pyetje në lidhje me largimin e saj nga banesa.

34-vjeçarja, nënë e dy fëmijëve të vegjël u denoncua e zhdukur nga bashkëshorti i saj. Në lidhje me këtë çështje prokurori i Lezhës regjistroi edhe një hetim.

Dyshimet paraprake janë se ajo ishte larguar nga banesa për shkak të konflikteve familjare, megjithatë do të pritet marrja e saj në pyetje për të arritur në konkluzion.

Njoftimi i policisë

Në vijim të informacionit për kallëzimin e bërë nga shtetasi O. M., 38 vjeç, banues në Lezhë, për largimin e bashkëshortes së tij nga banesa, sqarojmë se:

Shtetasja K. M., 34 vjeçe, rreth orës 15:30, është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Lezhë dhe aktualisht po jep sqarime mbi rrethanat dhe motivet e largimit nga banesa.