Fondi Shqiptar i Zhvillimit do të shpenzojë plot 11,1 milionë euro të taksapaguesve shqiptarë për ndërtimin e infrastrukturës mbështetëse për të ashtuquajturin kompleksi Auto-Moto Park në Elbasan, një pistë automobilizmi e gjate 5,3 km.
Fondi ka hapur dy tendera njeri 4,7 milionë euro për rrugët ndërlidhëse, dhe 6,4 milionë euro për Argjinatura mbrojtëse e lumit Shkumbin.
Auto-Moto Park në Elbasan është një projekt i Drejtorisë se Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, që financohet nga vetë kjo drejtori, qeveria dhe mbështetet nga bashkia e Elbasanit, çka do të thotë se investimi nuk mbyllet me 11,1 milionë eurot e tenderave në fjalë, por do të ketë të tjera lote.
Sipas Drejtorisë së Transportit Rrugor, cirkuiti automobilistik do të ketë disa komponentë për testimin e makinave, zona sportive, muze autovetuarsh dhe deri piste helikopterësh. Sipërfaqja në dispozicion është 50 hektarë dhe ndodhet në Elbasan. Zgjedhja e qeverisë që t’i ndërtojë autostradat me koncesion, dhe qytetarët t’i përdorin ato kundrejt pagesës për kalim, duket se ka lënë dorë të lirë që paratë e taksapaguesve të shkojnë për projekte argëtimi. Ky shpenzim i madh po bëhet në një kohë kur vendi përpara ka një krizë të rritjes së kostove për sigurimin e energjisë elektrike dhe kur qytetarët nuk po munden të përballojnë rritjen e fortë të çmimeve të konsumit bazë.
Po ashtu 6,4 milionë eurot për argjinaturat mbrojtëse në funksion te piste garash makinash, mund të përdoreshin për argjinaturat mbrojtëse për zonat e banimit, apo ato bujqësore në rrezik përmbytje. /Balkanweb