Protesta kundër diskriminimit krahinor në veting “Një maloke më pak”, Aktori Mehdi Malka: Unë jam një derr maloku


Aktori Mehdi Malka ishte pjesëmarrës këtë të premte në tubimin që u mbajt në ambientet përballë Komisionit të Vetingut, kundër diskriminimit krahinor në përzgjedhjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve të cilët i mbijetojnë “rrjetës” së drejtësisë së re.

Aktori u shpreh se Shqipëria është aq e vogël sa nuk duhet të ketë ndarje veri-jug. Ai shtoi se kjo përçarje bëhet nga qarqet e politikës anti-shqiptare që është ulur këmbëkryq në kryeqytet.

“Kjo është luftë e madhe veri jug. Me një makinë vete brenda ditës nga Konispoli në Kosovë, ku e gjetëm ne veriun dhe jugun. Veri-jug kanë vendet e mëdhaja, ne jemi një vend i vogël.

Unë e dua shumë Shkodrën, e dua Dibrën se kam qenë nga Lëpushi te Krojet e Bardha, kam punuar aty, kam dhënë shfaqje. Unë e dua shumë vendin tim. Ç’është kjo ndarje veri jug.

Politika e ndyrë antishqiptare e ka shpikur këtë veri-jug që vazhdon të jetë e ulur këmbëkryq në qendër të Tiranës. Unë kam shumë miq nga veriu dhe jugu, por çfarë rëndëise ka kjo.

Erdhën vëllezërit kosovar në kohën e luftës por nuk ndenjën vetëm në veri u pritën në të gjithë Shqipërinë.

Unë jam një derr maloku që nuk e kini mendjen. Se fjala malok po ta zbërthesh ka një fjalë shqip dhe turqisht”, tha Mehdi Malka.