MARIGLEN KUME/ Kryetari i Partisë së Lirisë zbuloi dje planin e opozitës, ku tha se në shtator do të punohet për një qeveri teknike, pasi sipas tij kjo aktualja që drejtohet nga Kryeministri Edi Rama nuk mund të garantojë asnjë hap përpara për procesin e negociatave me BE-në.
“Në lidhje me këtë iniciativë të Tao Taos kam një kundërshtim serioz se në shtator kemi punë për një qeveri teknike, sepse duhet t’u dalim për zot çështjeve të negociatave sepse me këtë qeveri nuk ka shanse të bëjmë ndonjë hap para”, tha ish-Presidenti.
Ndërkohë, ai paralajmëroi ngjarje të rënda që lidhen sipas tij me urdhërimin nga ana e Kryeministrit të disa ishbashkëpunëtorëve të sigurimit të shtetit që të manipulonin dosjen e shtetasit, të cilët pak javë më parë thanë se e kishte spiunuar shtetasi me iniciale I.M. kur ishin në universitet.
MANIPULIMI I DOSJES
“Është e provuar se ka ndodhur cenim i rëndë i rendit kushtetues ku provohet qartë se në kohën që Meta ishte kryetar i shtetit, President dhe të gjithë atributet e Presidentit, shefi i Tao Taos, ka urdhëruar dhe i ka garantuar mbrojtje bashkëpunëtorit të sigurimit të shtetit, N. L., i dalluar si poliagjent dhe një ish-shiksi A.H., të cilët në bashkëpunim me persona të tjerë kanë manipuluar dosjen e ndjekjes së qytetarit F. T., që është edhe shtetas amerikan. Nëse nuk tromakset Lindita e Parlamentit, do habiten shumë kongresmenë në Amerikë se si guxohet të manipulohet dosja e ndjekjes së një të riu në atë kohë dhe sot një qytetar i lirë amerikan dhe shqiptar, vetëm për të implikuar dhe goditur politikisht Presidentin e Republikës. Manipulimi ka ndodhur para 25 korrikut dhe përmasat e këtij skandali do jenë bumneriale për Edvin Kristaq Ramën. Ai ka kaluar jo vetëm vijën e kuqe, por ka kaluar edhe vijat e zeza. Çdo njeri që ka një foto me Edvinin, do ta grisë se do ta ketë për turp. Që nesër shkoj vetë në Parlament. Tri kartela më duhen mua”, tha Meta, ndërsa akuza e radhës ishte se manipulimi i dosjes me urdhër të Kryeministrit ishte bërë në interes të një shteti armik të Shqipërisë.
“Kjo nuk është çështja më e rëndë ku është implikuar Rama në kapjen e shtetit e ka bërë në shërbim të agjenturave armiqësore kundër Republikës së Shqipërisë. E merr A. H. dhe ia sjell vetes në mënyrë gjoja në emër të miqve amerikanë që na paskan ruajtur sekretet për Ilir Metën. Shumë shpejt do provohet që është pjesë e një agjende antikombëtare. Që sot të mblidhet Parlamenti, sepse në shtator do ketë gjëra të mëdha”, tha Meta teksa u zotua se kreun e qeverisë do ta dënojë me ligjet që ka miratuar vetë Rama gjatë kohës që ka qenë në krye të qeverisë. “Iu jap fjalën pavarësisht se i kanë kaluar edhe vijat e zeza, Meta do zbatojë ligjet që ka bërë Rama në raport me Ramën. Ta heqë nga mendja se do nxis ndonjë konflikt dhe ndonjë lojë si në 8 qershor bashkë me atë shokun tjetër, në mënyrë që të digjen zyrat dhe të justifikohen djegiet e arkivave. Sepse edhe kaq arkiva janë të mjaftueshme për një trajtim shembullor në dhomën 4 te spitali 5 me një polic shembullor”, vijoi kreu i PL.
MBLEDHJA E PARLAMENTIT
Ndërkohë, sa i përket deklaratës së kreut të Grupit të PS-së, Taulant Balla, se do miratohet kërkesa e Autoritetit të Dosjeve për deklasifikimin e dokumenteve sekrete, Meta kërkoi që të mos pritet muaji shtator.
“Tao Tao është një njeri vërtet që na shton humorin, pavarësisht se përfshirjet e tij në grupet kriminale kanë sjellë drama dhe probleme aq sa partia e tij e spostoi nga Elbasani, ku ai ka përgjegjësi të rëndë për atë që ndodhi para zgjedhjeve. Vërejtja ime është që Parlamenti të mblidhet që tani meqë ishte tromaksur edhe zonja Lindita e Parlamentit. Pavarësisht se e dini se çfarë mendoj për këtë Parlament, unë prapë jam shtetar dhe e duam apo s’duam po prapë është një hap përpara se ka një opozitë reale. Të mblidhet që sot. Por Tao Tao duhet të ketë parasysh e t’i thotë shefit të tij se në Greqi për shkak se ishte bërë një regjistrim i parregullt ndaj një kryetari të një parie të dorës së dytë e të tretë, dha dorëheqjen drejtori i Shërbimit Informativ dhe sekretari i përgjithshëm i qeverisë dhe doli Kryeministri dhe bëri një autokritikë të thellë para opinionit publik. Në rastin e I.M. të Tao Taos, situata është dramatike për shefin e Tao Taos”, u shpreh kryetari i Partisë së Lirisë. Panorama.al