ADA HAZIZOLLI/ Ashpërsohen masat për arkëtimin e taksave vendore. Bllokim llogarie bankare, barrë hipotekore mbi pasuritë, konfiskim deri edhe burg për të gjithë ata taksapagues që nuk shlyejnë brenda 10 ditëve detyrimet tatimore.
Kjo nuk është përmbajtja e ndonjë shkrese të dalë nga zyrat bashkiake, por është nisma e radhës së qeverisë, e cila ka vendosur të marrë përsipër “rolin e përmbaruesit” për vjeljen e taksave dhe tarifave vendore.
Kështu, përmes një udhëzimi arbitrar që mban firmën e ministres së Financave, Ibrahimaj dhe ministrit të Brendshëm, Çuçi, qeveria u dikton bashkive mënyrën sesi duhet të sillën ndaj tatimpaguesve kur këta të fundit janë debitorë apo kanë fatura të pashlyera, duke cenuar jo pak autonominë e tyre.
Nisma është zyrtarizuar një ditë më parë, ndërsa bashkitë do të jenë të detyruara t’i përmbahen zbatimit pikë për pikë të udhëzimit, duke raportuar në mënyrë periodike pranë Ministrisë së Financave, e cila do të ketë akses edhe në llogaritë bankare. Por cilët janë hapat që do të ndiqen për mbledhjen me forcë të detyrimeve tatimore?
AFATET
Fillimisht, qytetarët do të njoftohen për detyrimet që kanë. “Me kalimin e 10 ditëve nga data e nisjes me postë, rrugë elektronike të këtij njoftimi ose brenda 3 ditëve nga data e dorëzimit në dorë taksapaguesit të njoftimit, Drejtoria e Taksave dhe Tarifave Vendore ka detyrimin të fillojë zbatimin e procedurës për mbledhjen me masa shtrënguese të detyrimeve tatimore të papaguara”, thuhet në udhëzim.
Pra, qytetarët do të kenë vetëm 10 ditë kohë për të likuiduar pagesat e prapambetura apo ato të krijuara rishtazi, më pas do të vijohet me sanksionet që shkojnë deri në konfiskim të pasurisë dhe ndjekje penale, për ata të cilët do të shpallin falimentin apo do të tentojnë të largohen nga vendi.
MASAT
Zbatimi i masave shtrënguese vjen duke u ashpërsuar hap pas hapi. Udhëzimi përcakton që nëse pagesa nuk kryhet brenda 10 ditëve pas marrjes së njoftimit, tatimpaguesit do t’i konfiskohet 50 për qind e xhiros ditore. Inspektorët po ashtu do të kenë tagrin që të bllokojnë llogaritë bankare. Struktura e taksave dhe e tarifave vendore, nga marrja dijeni për bllokimin, përgatit dhe i dërgon bankës urdhrin e ekzekutimit, pra, shumën që duhet të transferohet për llogari të taksave vendore.
Jo vetëm kaq, nëse tatimpaguesi sërish do të përpiqet të shmangë detyrimet tatimore që vijnë nga taksat dhe tarifat vendore, atëherë do të vendoset masa e sekuestros dhe konfiskimit të pasurisë.
“Me kalimin e afatit 15-ditor, nga dita e marrjes së njoftimit të sekuestrimit nga ana e taksapaguesit, sendet e paluajtshme ose të luajtshme të sekuestruara nga administrata tatimore, prej taksapaguesit, konfiskohen dhe i nënshtrohen procesit të shitjes së tyre, me qëllim arkëtimin e detyrimit tatimor”, theksohet më tej në udhëzim.
Nga penalitetet nuk do të kursehen as palët e treta, që mund të jenë aksionerët apo administratorët, ndërsa të vetmet mundësi që kanë qytetarët për “t’i shpëtuar kësaj përndjekjeje” janë shlyerje e detyrimeve përmes skemës me këste.
PJESË NGA UDHËZIMI I MINISTRISË SË FINANCAVE DHE I MINISTRISË SË BRENDSHME UDHËZIM I PËRBASHKËT Nr. 17, datë 20.6.2022 PËR PËRCAKTIMIN E UNIFORMITETIT MINIMAL TË STANDARDEVE PROCEDURALE PËR MBLEDHJEN E DETYRIMEVE TË TAKSAVE E TARIFAVE VENDORE
IDENTIFIKIMI I ÇËSHTJEVE
Drejtoria e Taksave dhe Tarifave Vendore, përgjegjëse për masat shtrënguese ka autoritetin dhe kompetencat për të mbledhur detyrimet tatimore të papaguara, kur konstaton se taksapaguesi është në kushtet e paragrafit 1, të nenit 88, të ligjit nr. 9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Procedurat e mbledhjes së detyrimeve tatimore vendore të papaguara, fillojnë në rastet kur:
a) ka përfunduar afati i përcaktuar në ligj, akte nënligjore apo vendime të këshillit bashkiak, për pagesën e taksës apo tarifës vendore, i cili zbatohet pas verifikimit nga administrata tatimore vendore, të mungesës së ankimimit administrativ;
b) ka përfunduar ankimi administrativ në organin kompetent brenda hierarkisë administrative (bashkisë), si dhe verifikimi nga administrata tatimore vendore si i pa vazhduar në shkallën e pushtetit gjyqësor, pranë gjykatës administrative; c) kur ka përfunduar me një vendim të formës së prerë, jo në favor të palë.
PROCEDURA PËR MBLEDHJEN ME MASA SHTRËNGUESE TË DETYRIMEVE TATIMORE VENDORE
Njoftimi dhe kërkesa për të paguar është akti administrativ, i cili shërben si një njoftim me shkrim, me të cilin administrata tatimore vendore i kërkon taksapaguesit, pagesën e plotë të taksave dhe tarifave vendore, nëse prej tij nuk janë paguar plotësisht dhe në afatin e përcaktuar detyrimet tatimore vendore.
Njoftimi i dërgohet taksapaguesit me njërën nga format e mëposhtme: – me anën e shërbimit postar rekomande; – dorazi; – në rrugë elektronike,
Me kalimin e 10 ditëve nga data e nisjes me postë, rrugë elektronike të këtij njoftimi, ose brenda 3 ditëve nga data e dorëzimit në dorë taksapaguesit të njoftimit, Drejtoria e Taksave dhe e Tarifave vendore ka detyrimin të fillojë zbatimin e procedurës për mbledhjen me masa shtrënguese të detyrimeve tatimore të papaguara.
BLLOKIMI I SHITJES SË AKTIVEVE
Administrata tatimore vendore, sipas afatit në paragrafin e fundit më lart, i dërgon Qendrës Kombëtare të Biznesit kërkesën për ndalimin e veprimeve që kanë të bëjnë me transferimin e kapitaleve të veta të taksapaguesit. Taksapaguesi, për të cilin administrata tatimore ka filluar mbledhjen me forcë të detyrimeve tatimore të papaguara, nuk mund të kryejë transferim të shumave të parave nga llogaria e tij apo të shesë/të transferojë aktivet ose kapitalet e shoqërisë, me përjashtim të rasteve kur, nëpërmjet shitjes/transferimit të aktiveve, synohet shlyerja plotësisht e detyrimit tatimor të papaguar.
Në këtë rast, taksapaguesi paraqet në QKB një dokument nga administrata tatimore vendore, që vërteton se transaksioni kryhet për efekt të pagimit të detyrimit tatimor.
Konfiskimi i jo më pak se 50% të qarkullimit Administrata tatimore vendore, mbështetur në nenin 89, pika 2, të ligjit nr. 9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, mund të angazhojë strukturat e saj për të verifikuar dhe monitoruar në vend aktivitetin tregtar të taksapaguesit, me qëllim konfiskimin në fund të çdo dite të një shume jo më pak se 50 për qind të qarkullimit të realizuar, por jo më shumë se detyrimi i taksave dhe tarifave vendore për të cilat kanë filluar masat shtrënguese.
Taksapaguesi njoftohet paraprakisht se do të fillojë verifikimi dhe monitorimi në terren i aktivitetit tregtar të tij. Urdhri për të konfiskuar në fund të çdo dite një shumë jo më pak se 50% e qarkullimit ditor të realizuar por jo më shumë se detyrimi tatimor, lëshohet nga titullari i NJVV-së ose drejtuesi i strukturës së taksave e tarifave vendore, kur kjo e fundit është e organizuar si njësi shpenzuese më vete. Inspektori i caktuar me kryerjen e procedurës ndjek dhe verifikon nëse derdhja e shumës 50% të qarkullimit (jo më shumë se detyrimi tatimor) është bërë rregullisht.
KALLËZIMI PËR NDJEKJE PENALE
Kur struktura përkatëse e taksave dhe tarifave vendore konsideron se pagesa e taksave dhe tarifave vendore është në rrezik dhe ndodhet përpara rasteve, kur: – taksapaguesi është vështirë të gjendet ose kërkon të largohet nga vendi; – taksapaguesi kërkon që nëpërmjet likuidimit, falimentimit të shmangë pagesën e detyrimeve; – taksapaguesi kërkon të kryejë transferim të shumave të parave nga llogaria e tij, me qëllim shmangien e pagesës së detyrimeve; – taksapaguesi kërkon të shesë/transferojë aktivet ose kapitalet e shoqërisë për të shmangur pagesën e detyrimeve; apo – arsye tjera të ngjashme të dokumentuara.
Mund të propozojë për kallëzim për ndjekje penale, për marrjen e masës së sigurimit personal, sipas nenit 233, të Kodit të Procedurës Penale. Administrata tatimore vendore, vetë, nëpërmjet titullarit të NJVV-së ose drejtuesit të strukturës së taksave e tarifave vendore, kur kjo e fundit është e organizuar si njësi shpenzuese më vete, ose nëpërmjet organit të prokurorisë, ka të drejtë t’i kërkojë bankave me seli në Republikën e Shqipërisë, të mos lejojnë taksapaguesin të bëjë transferimin e shumave jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
URDHRI I BLLOKIMIT TË LLOGARIVE BANKARE TË TAKSAPAGUESIT
Urdhri i bllokimit të llogarive bankare është një njoftim dhe kërkesë për pagesë, që administrata tatimore vendore, nëpërmjet titullarit të NJVV-së ose drejtuesit të strukturës së taksave e tarifave vendore, kur kjo e fundit është e organizuar si njësi shpenzuese më vete, i dërgon bankave, për të bllokuar çdo llogari në emër të taksapaguesit, i cili nuk ka paguar taksat e tarifat vendore në shumën dhe kohën e duhur.
Urdhri i bllokimit të llogarive bankare nxirret, pasi kanë kaluar 10 ditë pune nga dërgimi i dokumentit Njoftim dhe kërkesë për të paguar. Ky dokument firmoset nga titullari i NJVV-së ose drejtuesi i strukturës së taksave e tarifave vendore kur kjo e fundit është e organizuar si njësi shpenzuese më vete, dhe dërgohet me: – postë; ose – në rrugë elektronike.
Në rast se struktura e taksave dhe tarifave vendore lëshon urdhra bllokimi për më shumë se 20 taksapagues, në të njëjtën ditë, urdhrat dërgohen në format elektronik. Banka, brenda 5 ditëve pune nga marrja e urdhrit, njofton strukturën e taksave dhe tarifave vendore për gjendjet e llogarive/depozitave të taksapaguesit.
Struktura e taksave dhe tarifave vendore, brenda 2 ditëve pune nga marrja dijeni për bllokimin, përgatit dhe i dërgon bankës urdhrin e ekzekutimit. Urdhri i ekzekutimit përmban: i. shumën që kërkohet të transferohet; ii. numrat/kodet e llogarive të taksave/tarifave përkatëse; iii. kodin buxhetor të NJVV-së në sistemin e thesarit.
Praktika shoqërohet me urdhrin e pagesës ose faturës për arkëtim, ku përcaktohen kodet e llogarive apo barcode-t, për secilën taksë/tarifë, si dhe kodin e NJVV-së për llogari të së cilës do të bëhet pagesa. Banka, jo më vonë se 3 ditë pune nga dita e marrjes së urdhrit: – transferon shumën; – njofton strukturën e taksave dhe tarifave vendore në NJVV dhe taksapaguesin, me shkrim ose në rrugë elektronike. Në rast se detyrimi ekzekutohet plotësisht, administrata vendore, me të marrë dijeni, menjëherë, i dërgon bankave, një urdhër zhbllokimi.
Në rast se detyrimi ekzekutohet pjesërisht, administrata tatimore dërgon një urdhër të ri bllokimi bankave, për shumën e detyrimit që rezulton mbas ekzekutimit të pjesshëm. Në rast se taksapaguesi nuk ka gjendje në llogaritë bankare në asnjë nga bankat, llogaritë do të vazhdojnë të mbahen të bllokuara në bazë të urdhërbllokimit.
MASA E SIGURIMIT TË DETYRIMIT TATIMOR
Struktura e taksave dhe tarifave vendore, nëse konstaton se me gjithë bllokimin e llogarive, detyrimet tatimore vendore nuk janë paguar, ajo kërkon sigurimin e pagimit të këtij detyrimi, nëpërmjet vendosjes së masave të sigurisë për të gjithë pasurinë e taksapaguesit.
Masat e sigurimit të pasurisë merren gjithmonë me anë të një vendimi me shkrim të titullarit të NJVV-së dhe/ose nëpunësit zbatues përgjegjës. Llojet e masave të sigurimit të detyrimit tatimor dhe afatet Kur me gjithë masat për bllokimin e llogarive bankare të taksapaguesit debitor, akoma detyrimet tatimore janë të papaguara, atëherë administrata tatimore vendore, brenda 10 ditëve, zbaton masat e sigurimit të detyrimit tatimor.
Përmbajtja e tyre është në formatin e shkresës zyrtare, si më poshtë: a) Njoftim i përgjithshëm për vendosjen e masave të sigurimit të detyrimit tatimor; b) Njoftim për vendosjen e barrës hipotekore; c) Njoftim për vendosjen e barrës siguruese.
Njoftimi për taksapaguesin mbi vendosjen e masës së sigurimit të detyrimit tatimor bëhet me qëllim që taksapaguesi: – të marrë dijeni për vendosjen e masës së sigurimit mbi pasuritë e tij; si dhe – të ketë mundësinë e ushtrimit të së drejtës së ankimimit.
Nëse struktura e taksave dhe tarifave vendore nuk disponon të dhëna mbi pasurinë e paluajtshme të debitorit, i kërkohet drejtorisë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, ku ndodhet pasuria e paluajtshme e taksapaguesit, apo selia e tij, si dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, që brenda 5 ditëve pune, të identifikojnë këto pasuri dhe të bëjnë vendosjen në hipotekë të tyre në favor të administratës tatimore vendore.
Në rastet kur pasuritë e paluajtshme janë në bashkëpronësi edhe me persona të tjerë ndaj të cilëve nuk mund të shtrihet procedura e mbledhjes me forcë të detyrimeve tatimore, administrata e cila ka nxjerrë vendimin për vendosjen e hipotekës, duhet të bëjë veçimin e këtyre pjesëve dhe të vendosë hipotekën, vetëm për pjesën që i takon si pronësi taksapaguesit debitor.
ANKIMIMI I MASËS SË SIGURIMIT TË DETYRIMIT TATIMOR
Mosekzekutimi i masës së sigurimit në mënyrë të rregullt është objekt ankimimi. Ankimimi bëhet pranë NJVV-së/strukturës së taksave dhe tarifave vendore, e cila ka nxjerrë vendimin e masës së sigurimit të detyrimit tatimor.
Drejtuesi i strukturës së taksave dhe tarifave vendore duhet të garantojë që procedurat e ndjekura deri në vendosjen e masave të sigurisë të jenë zbatuar në mënyrë të rregullt në zbatim të legjislacionit në fuqi.
Kur një parregullsi e pretenduar nga taksapaguesi rezulton se është e vërtetë, atëherë titullari i NJVV-së ose drejtuesi i strukturës së taksave e tarifave vendore, kur kjo e fundit është e organizuar si njësi shpenzuese më vete, në bazë të një vendimi me shkrim, duhet të motivojë revokimin e vendimit dhe të çlirojë nga barra sendet mbi të cilat është vendosur barra siguruese apo hipotekore. Kur kërkesa e taksapaguesit nuk është paraqitur brenda afatit kohor prej 30 ditësh nga marrja e njoftimit, ajo konsiderohet e pavlefshme dhe nuk shqyrtohet.
SEKUESTRIMI DHE KONFISKIMI I PASURISË
Nëse taksapaguesi nuk paguan detyrimin tatimor në datën e caktuar, në përputhje me njoftimin dhe kërkesën për pagesë, administrata vendore, mund ta mbledhë detyrimin tatimor të papaguar nëpërmjet sekuestrimit, e më pas konfiskimit të pasurisë në pronësi të taksapaguesit të siguruar në favor të NJVV-së/administratës tatimore vendore. Në çdo rast, autorizimi për fillimin e procedurës së sekuestrimit dhe konfiskimit nxirret nga titullari i NJVV-së ose drejtuesi i strukturës së taksave e tarifave vendore, kur kjo e fundit është e organizuar si njësi shpenzuese më vete.
URDHRI I SEKUESTRIMIT
Urdhri i sekuestrimit është akti i vetëm me anë të të cilit administrata tatimore vendore ka të drejtë të fillojë procedurat e sekuestrimit, pasi më parë ishin vendosur masat e sigurisë. Urdhri i sekuestrimit bëhet me shkrim dhe firmoset nga titullari i NJVV-së ose drejtuesi i strukturës së taksave e tarifave vendore, kur kjo e fundit është e organizuar si njësi shpenzuese më vete. Urdhri i sekuestrimit përmban detyrimisht të dhënat: a) shumën e detyrimeve tatimore të papaguara; b) afatin për pagesën e detyrimeve tatimore; c) pasurinë që sekuestrohet; ç) mënyrën e ekzekutimit të sekuestrimit; d) informacionin rreth së drejtës së taksapaguesit për ankim administrativ.
ZBATIMI I URDHRIT TË SEKUESTRIMIT
Nga ana e titullarit të NJVV-së ose drejtuesi i strukturës së taksave e tarifave vendore, kur kjo e fundit është e organizuar si njësi shpenzuese më vete, urdhërohet ngritja e grupit të punës, për zbatimin e kësaj mase shtrënguese. Në grupin e punës bëjnë pjesë punonjës që janë ngarkuar me mbledhjen e detyrimeve tatimore vendore me masa shtrënguese, si dhe të Policisë Bashkiake, në mbështetje të tyre. Vizitat për sekuestrimin bëhen gjatë orarit të punës, por përjashtimisht, nëse gjykohet e nevojshme, mund të autorizohen vizita në çdo kohë, me miratim zyrtar të titullarit të NJVVsë ose të drejtuesit të strukturës së taksave e tarifave vendore, kur kjo e fundit është e organizuar si njësi shpenzuese më vete.
KONFISKIMI I PASURISË SË SEKUESTRUAR DHE SHITJA E SAJ
Me kalimin e afatit 15-ditor, nga dita e marrjes së njoftimit të sekuestrimit nga ana e taksapaguesit, sendet e paluajtshme ose të luajtshme të sekuestruara nga administrata tatimore, prej taksapaguesit, konfiskohen dhe i nënshtrohen procesit të shitjes së tyre, me qëllim arkëtimin e detyrimit tatimor. Në këtë rast administrata tatimore vepron në përputhje me të gjitha rregullat e parashikuara në ligjin “Për ankandin publik”. Në zbatim të procedurave të shitjes, njësia e vetëqeverisjes vendore është autoriteti shitës dhe përgjegjës për realizimin e ankandit publik, në përputhje me ligjin “Për ankandin publik”.
Kur nga shitja realizohen më shumë të ardhura se sa ka qenë detyrimi tatimor i papaguar prej taksapaguesit, këto shuma i kthehen taksapaguesit brenda 5 ditëve pune nga data e përfundimit të arkëtimit të parave të realizuara nga shitja në favor të NJVV-së/administratës tatimore vendore.
TRANSFERIMI I DETYRIMIT TATIMOR PALËS SË TRETË
Administrata tatimore vendore ka të drejtë të kërkojë përmbushjen e detyrimit të papaguar dhe nga personat e tretë, nëpërmjet transferimit të detyrimit të taksapaguesit tek këta persona. Persona të tretë konsiderohen ata që gjatë periudhës së mbledhjes me masa shtrënguese të detyrimeve tatimore kanë përfituar prej taksapaguesit debitor sende të luajtshme apo të paluajtshme. Afat maksimal i pagimit të shumës së detyrimit tatimor, që i transferohet personit të tretë, është dita e 14-ë, nga data e marrjes dijeni të njoftimit. Në rast se kjo ditë bie ditë pushimi, ky afat shtyhet deri në ditën e parë të punës që vjen mbas këtij afati.
AFATI PROCEDURAL DHE PROCEDURA PËR MBLEDHJEN E DETYRIMIT TË TRANSFERUAR
Struktura e taksave dhe tarifave vendore kur ka dijeni që palë të treta kanë për të paguar shuma të caktuara në favor të taksapaguesit debitor, kërkon nga këta persona që detyrimet e tyre monetare kundrejt taksapaguesit t’i derdhin në favor të administratës tatimore vendore. Palët e treta për të kryer këto pagesa duhet të jenë njoftuar me shkrim, ndërkohë që detyrimi i tyre fillon brenda 30 ditëve nga data e marrjes së njoftimit, por jo më vonë se sa 37 ditë prej datës së nisjes së njoftimit zyrtar.
FILLIMI I PROCEDURAVE TË MBLEDHJES ME FORCË TË DETYRIMIT TË TRANSFERUAR
Nëse me kalimin e 37 ditëve nga data kur është nxjerrë “Njoftimi dhe kërkesa për pagesë” nuk janë kryer pagesat dhe nëse personi që i transferohet detyrimi edhe pas njoftimit të bërë nga administrata tatimore, nuk e kundërshton atë brenda afateve kohore të parashikuara në ligj, inspektori përgjegjës për çështjen duhet të fillojë mbledhjen me masa shtrënguese të këtij detyrimi ndaj personit të tretë. Procedura e mbledhjes me forcë të detyrimit tatimor ndaj personit të tretë është e njëjtë me procedurën për mbledhjen e detyrimeve tatimore të papaguara nga taksapaguesi debitor.
PËRGJEGJËSIA E ORTAKUT, AKSIONARIT DHE ADMINISTRATORIT
Në rastin e taksapaguesve persona juridikë, kur pas shitjes së pasurive të taksapaguesit debitor nuk është arritur të mblidhet detyrimi i papaguar, atëherë detyrimi i papaguar i taksave e tarifave vendore, transferohet tek ortakët/ortaku i vetëm, aksionarët, si dhe tek administratori i personit juridik. Administrata tatimore nuk i ndan këta persona nga njëritjetri, por kërkon prej tyre përmbushjen e detyrimit. Në rast se personi juridik, i cili ka detyrime tatimore të papaguara, nuk arrin t’i paguajë këto detyrime edhe pas përfundimit të procesit të likuidimit apo falimentimit, detyrimi tatimor i papaguar, i transferohet si solidarë personave që kanë pasur cilësinë e ortakut, aksionarit apo të administratorit/administratorëve në momentin e kryerjes së procesit të likuidimit, apo falimentimit të personit debitor.
KUR LIDHET NJË MARRËVESHJE ME KËSTE
Strukturat e taksave dhe tarifave vendore lejojnë taksapaguesit, që në çdo kohë dhe sa herë që është e nevojshme, të lidhin marrëveshje të pagesës me këste të detyrimeve të taksave e tarifave vendore. Taksapaguesi duhet të vërtetojë pamundësinë financiare, si dhe të tregojë që pavarësisht rrethanës financiare të vështirë, është në gjendje të zbatojë kushtet e marrëveshjes. Për të gjykuar në lidhje me pamundësinë financiare, mund të shërbejnë pasqyrat financiare të shoqërisë, gjendja e detyrimeve, kapitalet e shoqërisë, aftësia qarkulluese e inventarit, likuiditetet, mungesa e kontratave të mëparshme, etj.
NDËRPRERJA E PROCEDURAVE TË MBLEDHJES ME MASA SHTRËNGUESE
Struktura e taksave dhe tarifave vendore ndërpret masat shtrënguese për mbledhjen e detyrimeve të taksave dhe tarifave vendore, në rast se: taksapaguesi e ka paguar të gjithë detyrimet e tij, lidhur me taksat dhe tarifat vendore; parashkruar e drejta e administratës tatimore vendore për mbledhjen e borxhit tatimor, pasi kanë kaluar 5 vjet nga data kur detyrimi tatimor i papaguar duhej të kryhej; në të gjitha ato raste kur detyrimet për taksat dhe tarifat vendore janë falur me ligj; pas deklarimit si të pambledhshëm të detyrimit tatimor nga administrata tatimore vendore. Marre nga Gazeta Panorama