Tragjedia e Himarës/ Skadon ultimatumi ndaj Ramës, sot qytetarët protestojnë në 19:00

Një tjetër protestë qytetare do të mbahet sot përpara Ministrisë së Brendshme. Protesta mbahet nën moton “Drejtësi për Jonadën”, e cila u vra teksa ishte në plazh nga një skaf, që drejtohej nga komisari i Policisë, Arjan Tase.

Protestuesit do të mblidhen pasditen e sotme në orën 19:30 duke kërkuar dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi, ministres së Turizmit, Mirela Kumbaro, por edhe drejtorit të Policisë së Shtetit, Gledis Nano. Demonstruesit vendosën një afat prej 72 orësh, ku kanë kërkuar nga Kryeministri Rama shkarkimin e dy ministrave dhe drejtorit, por duket se ky afat ka skaduar. Protesta mbështetet edhe nga opozita.

Ish-Kryeministri Sali Berisha me anë të një postimi në “Facebook” shkruan se mbështet plotësisht protestën e tyre. “Nesër (sot) qytetarët në protestë.


Mbështetje të plotë protestës së tyre”, shkruan Sali Berisha. Kujtojmë që të enjten e 4 gushtit qytetarët u grumbulluan para Ministrisë së Brendshme dhe Kryeministrisë.

Në mbështetje të tyre ishin edhe liderët e opozitës, Sali Berisha dhe Ilir Meta, të cilët qëndruan bashkë gjatë protestës. Edhe Partia e Lirisë mbështet protestën që do të zhvillohet sot para ministrisë së Brendshme, me moton “Drejtësi për Jonadën”.

Sekretari i Përgjithshëm i kësaj force politike, Tedi Blushi, shpërndau një video të publikuar nga deputeti i PD-së, Belind Këlliçi.

Në video, PD por edhe PL, pretendojnë se “ka një ushtri fantazmash që adhurojnë qeverinë”, duke iu referuar komenteve të bëra në faqen e Kryeministrit Rama.

Sekretari i Përgjithshëm Tedi Blushi apeloi për pjesëmarrje masive.

Blushi, shkruan se do të jenë të gjithë në shesh për të rrëzuar bandën e hajdutëve që qeveris shqiptarët. “’Argëtohuni’ sot me Fake-Qeverinë dhe nesër të gjithë në protestë kundër kësaj bande hajdutësh që kujdeset vetëm për ‘fake-like’ dhe ‘follow’-ersa nga Bangladeshi”, shprehet Tedi Blushi. Ndërkohë, deputeti Belind Këlliçi shkruan.

“Një ushtri fantazmash që adhuron qeverinë. Emra dhe foto-fytyra të vjedhura nga ata që na vjedhin çdo ditë. Komentet gatuhen në zyrat e qeverisë dhe shpërndahen nga një ushtri komentuesish që i paguajnë me paratë e shqiptarëve. Kjo është mbështetja reale që kanë”.

Mbrëmjen e së enjtes mijëra qytetarë u bashkuan në protestë në formë revolte për atë çfarë ndodhi në Potam të Himarës, ku një 7-vjeçare u vra nga skafi që drejtohej nga komisari Arjan Tase.