Nga Isa Halili
Festim, na kishe treguar që fitoje beteja, pa dashur na vrave të gjithëve!
E enjte, 5 gusht, ora 10:45, akrepat e ores u ndalën! Një parakalim fatal u pasua me një përplasje brutale dhe zemra e një 27 vjeçari pushoi së punuari. Festim Meçja jo vetëm nuk mundi të surprizonte familjen, miqtë shokët që aq shumë i donte por na goditi të gjithëve me një “shigjetë” që do ta kemi ngulur përjetë në shpirtë.
Është realisht kaq e vështirë të shkruaj për ty, vllai im aq sa emocionet me pushtojnë dhe lotët vetvetiu janë një sfond mjerimi në fytyrë.
E megjithatë më ngushëllon e më bënë krenare pa masë fakti që u ndave nga kjo jetë si hero. Ti nuk mbete vetëm heroi i zemrës së familjarëve të tu por u bëre heroi i të gjithë atyre që të njohën, sepse ishe festë shpirtërore me humorin, sinqeritetin dhe bujarinën që të karakterizonte.
Ikja jote la kaq shumë zbrazëti te secili prej nesh, aq sa me beso nuk më hiqen nga memoria imazhet e aksidentit ku u vramë të gjithë. Mami, dhe babi, motra dhe vllai humbën atë që ishte FESTË në gjithëçka bënte. Unë dhe fshati ynë humbëm një lule që sapo kishte çelur.
Lutem që Zoti të shpërblejë në botën tjetër, për njeriun fisnik e zemërgjër që rezultove në këtë botë. Drita që rrezatove në jetën e kaq shumë njerëzve tu kompensoftë në “ushqim” sepse një lule që këputet në këtë botë meriton të lulzojë në botën tjetër!
Festim, padiskutim do të jetosh përjetësiaht në zemrat tona! Zoti të pastë falë e qofsh inshallah prej banorëve të xhenetit! 🤲