Kryetari i PD Kavajë Hysen Kadiu ka reaguar pas publikimit të vendimit nga Ministria e Financave e cila konfirmoi se Bashkia e Kavajes do te drejtohet nga një administrator dhe ka hapur konkursin për zgjedhjen e tij.
Përmes një mesazhi në facebook, Kadiu thotë se kjo gjendje ka arritur për shkak të keqdrejtimit aktual.
Hysen Kadiu shprehet se PD ka gati planin dhe njerzit e duhur për të drejtuar Bashkinë dhe rikthyer atë në shërbim të qytetarëve dhe halleve të tyre.
Kadiu thotë se kjo krizë aktuale u shkaktua nga keqmenaxhimi dhe korrupsioni galopant dhe nga Shtatori qe nga shtatori do drejtohet nga një administrator dhe jo i zgjedhur nga qytetarët.
Mesazhi i Hysen Kadiut
Partia Demokratike Kavajë prej kohesh ka denoncuar keqmenaxhimin dhe korrupsionin galopant në Bashkinë e qytetit, si shkaktarin kryesor për të cilën Bashkia Kavajë, sot, ndodhet në probleme serioze financiare dhe kemi bërë thirrje të vazhdueshme për marrjen e masave konkrete dhe të shpejta për shmangien e falimentit, por të zhytur në arrogancën e pushtetit nuk i’a vunë veshin paralajmërimeve tona.
Kryetari i Bashkisë Kavajë kishte detyrim të dorëzonte, deri më datë 15 korrik, një plan masash për nxjerrjen e institucionit nga kriza që kishte shkaktuar, por i paaftë për të menaxhuar situatën e krijuar, vendosi dhe njëherë ta linte në rënie të lirë.
Për pasojë, pas shtatorit, Bashkia Kavajë do të mbesë pa Kryetar Bashkie dhe në vend të tij qeveria do të emërojë një Administrator me qëllim zgjidhjen e krizës “Krali”.
Nuk kishte sesi të ndodhte ndryshe në një Bashki ku të ardhurat, ndonëse të shumta, nuk mbulojnë dot shpenzimet, apo ku detyrimet shënojnë 91.23% të shpenzimeve faktike dhe vazhdohet me tendera sikur nuk ka ndodhur asgjë.
Nuk mund të shmangej kriza kur tenderon kryetari i Bashkisë së falimentuar, i cili në vend që të vlerësojë ofertën më të vogël, nxjerr kritere të panevojshme për të favorizuar miqtë e tij të tavolinave dhe për të kënaqur epshet e xhepat e sekserëve të shumtë që e rrethojnë dhe për pasojë rrezikohet pagesa e pagave të punonjësve.
Për hir të së vërtetës, ky kryebashkiak, do të mbesë gjatë në memorjen historike të qytetit. Kokëulur do të kujtohet si kryetari i vetëm që u emërua nga partia dhe u largua nga qeveria për paaftësi në menaxhimin e krizës që shkaktoi!
Por siç thotë dhe populli ynë i mençur, çdo e keqe e ka një të mirë!Partia Demokratike Kavajë ka gati planin, njerëzit e duhur, resurset dhe lidershipin për t’i rikthyer Bashkinë qytetarëve të saj. Ne do të marrim masa të menjëhershme për zgjidhjen e krizës “Krali”, vënien në vijë të financave publike, anullimin e tenderave korruptiv dhe çinstalimin e rrjetit të frikshëm të korrupsionit që qarkullon sot në Bashki.
Partia Demokratike fton të gjithë qytetarët dhe intelektualët e ndershëm Kavajas të aplikojnë për të marrë drejtimin e Bashkisë së qytetit të tyre.
Kavaja ka nevojë për ju!