Familja Avdia ka hapur sot dyert e mortit, pas tragjedisë së rëndë ndodhur dje në Himarë, ku vogëlushja e tyre 7 vjeçare u plagos për vdekje nga skafi që drejtohej nga ish-shefi i Komisariatit të kësaj bashkie, Arjan Tase.
News24 ka mbërritur sot pranë familjes dhe ka shprehur ngushëllimet e sinqerta, ndërsa mes tyre ka pllakosur zia dhe dhimbja, ndërsa pritet që rreth orës 15;00 vogëlushja të prehet në banesën e fundit.
Familja e saj kishte ardhur në Shqipëri për pushime, pasi prej vitesh jetonin në Angli.
Situata në familje është tejet e rëndë, ndërsa të tronditur ka mbetur i gjithë komuniteti.
Kujtojmë se autori i ngjarjes Arjan Tase ka deklaruar para efektivëve të policisë se skafi të cilin drejtonte ka marrë gaz në mënyrë të menjëhershme dhe ka bërë një rrotullim në vend, ndërsa ka mohuar zërat e qytetarëve të cilët pohuan se tentoi të largohej nga vendngjarja.
Tase në vitin 2020 ka mbajtur postin e shefit të komisariatit të Himarë, ndërsa më pas është shkarkuar dhe arrestuar nën akuzën për shpërdorim detyre. Më pas ai ka fituar gjyqin dhe aktualisht shërbente në Komisariatin e Elbasanit.
Një ditë më parë u bë me dije se pas ngjarjes, ai është shkarkuar përfundimisht nga radhët e policisë.