“Plumbin kokës do marrësh”/ “Shihni trimin si kërcënon ata që u vrau fëmijën”, dalin pamjet nga Potami, pushuesit përplasen me oficerin mbi gomone

Është siguruar një video që tregon momentet e post-tragjedisë në plazhin e Potatmit, ku gomonia me drejtues Arjan Tasen përplasi për vdekje një vajzë 7 vjeçe.

Në këto pamje dallohet qartë që situata është e tensionuar pas ngjarjes së dhimbshme, me familjarë të vogëlushes që dëgjohen të vajtojnë në distancë, ndërsa ka edhe britma e ulërima tmerruese nga pushuesit e pranishëm.

Ndërkohë, drejtuesi i gomones së bashku me një vajzë dhe një person të tretë qëndrojnë ende në mjetin lundrues, ndërsa përplasen verbalisht me plazhistë të tjerë.

“Kërcënoji, kërcënoji ata që u vrave fëmijën, kërcënoji…”, dëgjohet t’i drejtohet Tases qytetari që si duket ka filmuar situatën në fjalë, por është e paqartë se çfarë thotë oficeri i policisë që shkaktoi tragjedinë.

“A ke fëmijë ti more…”, dëgjohet t’i thotë një zonjë e pranishme në vendngjarje.

Ndërkohë një tjetër qytetar thotë: “Shih, bën trimin akoma. Shihni mostrën si bënë trimin akoma. Shiheni si bën trimin”.

Disa zëra të tjerë dëgjohen teksa i thonë Arjan Tases: “Plumbin kokës do marrësh”.