Në 108 vite shtet Shqipëria numëron 33 kryeministra, ose një kryeministër për tre vjet. Por nëse heqim 27 vitet e Mehmet Shehut dhe 9 vitet e Adil Çarçanit, shteti, populli janë përballur me ndërrime të shpejta të qeverive.
Ish kryehetuesi i diktaturës, Qemal Lame në librin e tij “Miq dhe armiq”, i cili po botohet pjesë-pjesë publikisht në Balkanëeb, jep detaje interesante nga jeta e atyre që kanë drejtuar Shqipërinë.
Kryeministri më jetëgjatë në vend ka qenë Mehmet Shehu, 27 vite, i ndjekur nga Enver Hoxha me 10 vjet, Adil Çarçani (tani edhe Edi Rama) 9 vite dhe Sali Berisha 8 vite.
“10 kryeministra janë dënuar me vdekje, pra një e treta e tyre. Nga 33 kryeministra, 10 prej tyre janë dënuar me vdekje. Ata janë: Ahmet Zogu, Fan Noli, Maliq Bushati, Ibrahim Biçakçiu, Kostaq Kota, Shefqet Verlaci, Rexhep Mitrovica, Mustafa Kruja, Ekrem Libohova dhe Fiqiri Dine”, shkruan Lame në librin e tij.
Nga: Qemal Lame
– Kryeministrat e Shqipërisë të akuzuar, dënuar e viktimizuar për motive politike.
Në 108 vjet shtet Shqipëria numëron 33 kryeministra, pothuajse një kryeministër për 3 vjet. Po të heqësh 27 vitet e Mehmet Shehut dhe 9 vitet e Adil Çarçanit, shteti, populli janë përballur me ndërrime të shpejta të qeverive.
E dyta, koha dhe mosha në detyrë.
27 vjet kryeministër Mehmet Shehu. Ai është më jetëgjati në detyrë në historinë e shtetit shqiptar, por edhe në botë. Ky është një rekord për Guinness që ka pak gjasa të thyhet. Pas tij, kryeministri i dytë më jetëgjatë është Enver Hoxha me 10 vjet, Adil Çarçani me 9 vjet dhe Sali Berisha me 8 vjet, me kohën më të gjatë në detyrë pas vitit 1990, duke lënë pas Aleksandër Meksin me 5 vjet, Fatos Nanon me 4.5 vjet dhe Ilir Metën me 2 vjet.
1 ditë kryeministër
Kryeministri me jetëshkurtër në detyrë është Qazim Koculi. Ai qëndroi kryeministër një ditë, ose më saktë 12 orë, nga mëngjesi deri në mbrëmje. Pas tij vjen Hasan Prishtina me 5 ditë kryeministër, Idhomeno Kosturi me 12 ditë.
Mosha:
Ahmet Zogu është kryeministri në detyrë në moshën më të vogël. Ai ishte 27 vjeç e 67 ditë kur mori detyrën në 2 dhjetor të vitit 1922.
81 vjeç kryeministër. Turhan pashë Përmeti ishte 81 vjeç kur e la detyrën në janar të vitit 1920, duke mbajtur edhe rekordin e kryeministrit shqiptar në moshën më të madhe në detyrë. Pas tij është Pandeli Evangjeli, i cili ishte 76 vjeç kur la detyrën e kryeministrit në vitin 1935.
2 metër i gjatë kryeministër
Edi Rama është kryeministri më i gjatë në historinë e kryeministrave.
E treta, kryeministra të burgosur
3 kryeministra të dënuar me burg. 3 kryeministra pas vitit 1990 janë dënuar dhe kanë vuajtur dënimin në burg. Adil Çarçani u dënua me 15 vjet, por bëri 3 vjet, i dënuar për abuzime me pushtetin gjatë regjimit të mëparshëm. Fatos Nano u dënua dhe bëri 4 vjet burg për abuzime me ndihmat italiane. Vilson Ahmeti, i dënuar për skandalin “Arsidi”, bëri 2 vjet burg.
E katërta, kryeministrat e dënuar me vdekje e të pushkatuar
10 kryeministra janë dënuar me vdekje, pra një e treta e tyre. Nga 33 kryeministra, 10 prej tyre janë dënuar me vdekje. Ata janë: Ahmet Zogu, Fan Noli, Maliq Bushati, Ibrahim Biçakçiu, Kostaq Kota, Shefqet Verlaci, Rexhep Mitrovica, Mustafa Kruja, Ekrem Libohova dhe Fiqiri Dine. Numrin më të madh e kanë kryeministrat që kanë qeverisur gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe që regjimi komunist i shpalli kriminelë lufte dhe i dënoi me vdekje në mungesë, duke pretenduar dhe kërkuar zyrtarisht që Fuqitë e Mëdha t‘i dorëzonin te shteti shqiptar.
Mes 10 të dënuarve me dënim kapital janë ekzekutuar dy prej tyre:
E pesta, kryeministra të vrarë
Kryeministrat kanë qenë edhe viktima të luftës së ashpër për pushtet. Janë 7 kryeministra të vrarë në atentate. Historia e eliminimeve të kundërshtarëve politikë nis me kryeministrin e parë Ismail Qemal Vlorën, të cilin e helmuan në hotelin “Brufoni” në Perugia të Italisë. Vijon më pare me vrasjen në atentat të Esad pashë Toptanit në Paris. Hasan Prishtinën, i vrarë në atentat. Xhaferr Ypin, i vrarë nga bombardimi. Idhomeno Kosturin, i vrarë në atentat. Tipik është eliminimi i Maliq Bushatit të pushkatuar si armik i popullit dhe i Kostaq Kotës që vdiq në burgun e Burrelit nga torturat. Më e rëndë është vrasja në detyrë apo “vetëvrasja” e Mehmet Shehut sipas versionit zyrtar të asaj kohe. Për të dokumentuar historinë dhe vlerësuar me objektivitet veprimtarinë e shtetit dhe të funksionarëve të lartë shtetërorë është e nevojshme të saktësohen nga institucionet e sotme të shtetit të së drejtës vrasjet, vetëvrasjet, pushkatimet, zhdukja e varreve të krerëve të shtetit shqiptar, si dhe të gjithë të dënuarve me vdekje e të persekutuarve politikë.
4. Shtetarët dhe roli i tyre në periudhat historike që kanë drejtuar vendin
Ardhja në pushtet dhe veprimtaria e shtetarëve kushtëzohet me rrethanat politike dhe ndryshimet e realizuara në periudhat historike të zhvillimit të shoqërisë e të shtetit shqiptar.
– 5 krerë me kontribute të ndryshme.
Ismail Qemali mbetet figura e krijimit të shtetit modern shqiptar. Ai vlerësohet dhe nderohet për vizionin kombëtar, mbështetjen e gjerë në popull dhe qëndrimet e drejta dhe pa armiqësi që mbante edhe ndaj kundërshtarëve të tij politikë. Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912 u realizua me mbështetjen e Fuqive të Mëdha evropiane, sidomos të Austro-Hungarisë. Kryeministri Ismail Qemali i dallua për mbështetjen e Perëndimit demokratik. Ahmet Zogu, sipas studiuesve, në karrierën e tij politike, me funksionet e ministrit të Brendshëm dhe ngjitjen në piramidën e shtetit si kryeministër, President dhe në fund si mbajtës i kurorës së Mbretit, i atribuoi vetes padrejtësisht dhe në kundërshtim me rregullat e praktikën e monarkive këtë funksion të kreut të shtetit, duke anashkaluar trashëgiminë e familjes së Gjergj Kastrioti Skënderbeut. U anashkalua edhe Mbreti Vidi që ishte akoma i gjallë. Për 45 vjet gjatë Luftës Nacionalçlirimtare dhe në kohën e shtetit socialist ai u akuzua e dënua si tradhtar e vrasës i kundërshtarëve politikë. Tradhti kombëtare mbetet dhurimi i territorit shqiptar, Shën Naumit dhe Vermoshit Jugosllavisë. Studiuesit që mbështesin transformimet demokratike, vlerësuan Ahmet Zogun si person që u përpoq për të ndërtuar dhe konsoliduar shtetin bashkëkohor duke futur metodën e qeverisjes dhe legjislacionin perëndimor. Në dhjetëvjeçarin e dytë pas vendosjes së demokracisë eshtrat e tij u sollën e u vendosën në varrezën familjare. Aktualisht nderohet edhe me një monument në Tiranë etj.
Enver Hoxha ka vlerësime të ndryshme nga studiues dhe politikanë. Si Kryetar i Shtetit me funksionet e Sekretarit të Parë të KQ të PPSH-së, kryeministër, drejtoi për afro 45 vjet me politikën e rreptë të luftës së klasave kundër armiqve për të marrë, konsoliduar, ruajtur deri në vdekje dhe dhuruar pushtetin trashëgimtarit të tij Ramiz Alia. Mbrojtësit e tij e vlerësojnë si udhëheqës i Luftës Nacionalçlirimtare, për zhvillimin e shtetit e ndërtimin e vendit, zhvillimin e arsimit, si dhe denoncimin dhe më pas largimin nga Traktati i Varshavës e të trupave ushtarake të saj nga bazat në vendin tonë, distancimin nga Lindja dhe me pasoja pozitive për sigurinë e mbrojtjen për fqinjët e shtetet perëndimore e të NATO-s.
Studiues dhe politikanë kundërshtojnë figurën e rolin e tij për rolin si diktator mesjetar, për trajtimin e interesave kombëtarë në funksion të pushtetit personal, herë si internacionalist proletar dhe herë si nacionalist. Vendosi shtetin diktatorial dhe legjislacionin sipas modelit ekstremist të Lindjes. Ai nuk ndërmori veprime për hapje, bashkëpunim ose partneritet me demokracitë perëndimore. Prishja e njëanshme e marrëdhënieve me Kinën, për të rritur rolin si udhëheqës i lëvizjes marksiste-leniniste, shpejtoi rënien e mitit të figurës legjendare të tij dhe shkatërrimin e ekonomisë e të shtetit etj. Monumentet e tij u shembën. U hoq emërtimi i tij nga institucionet industriale, arsimore e kulturore.
Mehmet Shehu, luftëtar në Spanjë kundër fashizmit e diktatorit Franko, një nga udhëheqësit kryesorë të Luftës Nacionalçlirimtare dhe pas luftës, si kryeministri më jetëgjatë derisa u nda nga jeta. Fajësohet për vrasje politike në kohën e luftës çlirimtare, ruajtjen e pushtetit autoritar me anë të luftës së klasave si ministër i Brendshëm dhe si kryeministër. Ka përgjegjësi të njëjtë me Enver Hoxhën. Mbështetës i Lindjes komuniste! Ramiz Alia, një nga kuadrot e Luftës Nacionalçlirimtare, bashkëpunëtor dhe trashëgimtar i Enver Hoxhës, president, ka përgjegjësi të njëjtë me të. Mbështetës i Lindjes komuniste! Në ndryshimin e sistemit politik nga sistemi i diktaturës së proletariatit në demokracinë perëndimore veproi për ruajtjen e pushtetit të tij, bëri politikë të dyfishtë për vazhdimin e sundimit të regjimit të vjetër duke e maskuar me pseudoreformat për demokraci. Gjatë kohës që qe president ai ushtroi dhunë shtetërore për të penguar lëvizjen demokratike, por pa shkaktuar gjakderdhje masive. U përpoq të krijonte imazh si i moderuar, por në çdo hap që ndërmori manifestohej botëkuptimi i tij si mbrojtës i vazhdimësisë së diktaturës.
– Kryetarët e shtetit dhe kryeministrat kanë pasur arritje, dështime e përfundime të ndryshme në periudhat historike që kanë përjetuar.
Si shtetarë me pushtet të lartë të parashikuar nga Kushtetuta dhe në bazë të funksioneve që kanë pasur, ata janë përfshirë edhe në luftën për pushtet me pasoja të rënda të eliminimit të kundërshtarëve politikë, si autorë dhe në disa raste edhe si viktima të asaj lufte. Shtetet e fuqishme me gjeopolitikën e tyre kanë pasur ndikim të drejtpërdrejtë dhe në disa rrethana politike kanë përcaktuar dhe imponuar edhe fatet e shtetit e të kombit shqiptar të ndarë në shtatë shtete: Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi, Greqi, Serbi, Bosnjë e Hercegovinë. Shqipëria është rasti unik në bashkësinë ndërkombëtare që ndahet e kufizohet po me territore dhe popullsi të njëjtë kombëtare. Veprimtaria e politikanëve shqiptarë ka synuar vazhdimisht edhe mbështetjen nga përfaqësuesit e shteteve të njohura si partnerë strategjikë. Ky fakt ka kultivuar edhe mendimin se në pushtet vijnë e qëndrojnë ata persona që kanë mbështetjen e hapur apo të pazyrtarizuar të partnerit më të fuqishëm strategjik. Qëndrimet e krerëve të politikës shqiptare tregojnë se ata e vlerësojnë si detyrë, si mbijetesë për pushtetin e tyre, të shkojnë e të flasin, të marrin dorë, të falen apo rrëfehen tek të huajt.
Ka vetëm një ndryshim, ambasadori sovjetik është zëvendësuar me atë amerikan! Me këtë përfundim, nuk kritikohen ambasadorët e shteteve partnere që veprojnë në emër të qeverisë së tyre, por mentaliteti dhe praktika e disa politikanëve shqiptarë në pushtet apo në opozitë. Është e natyrshme të shkëmbehen mendime dhe të merret përvojë e ndihmë nga partnerët me të cilët kemi aleancë politike e ushtarake dhe bashkëpunojmë ngushtë me parimet e njëjta të lirisë, demokracisë, paqes e sigurisë. Por vendimet kërkohen të merren me përgjegjësi kombëtare, me pavarësi dhe sovranitet të ligjshëm e dinjitet shtetëror. Vlerësimet, mbështetja dhe karriera e krerëve të politikës bazohet në edukimin, arsimimin dhe aftësitë personale që i dallojnë dhe u krijojnë kushtet për t‘u ngjitur në piramidën e shtetit e të shoqërisë. Në shpalljen e pavarësisë, Luftën e Parë e të Dytë Botërore u dalluan sidomos ata që ishin arsimuar dhe kishin pasur karrierë në Perandorinë Osmane si dhe mbështetje nga shtete perëndimore, nga të cilat më aktive ka qenë Austro-Hungaria. Në kohën e Luftës Nacionalçlirimtare ndodhi ndarja midis nacionalistëve dhe çlirimtarëve. Te nacionalistët u mbështetën personat që kishin arsimim në shtete perëndimore, ndërsa te çlirimtarët morën më shumë përparësi ata që kishin studiuar, jetuar apo kishin pasur kontakte me shtetet e Evropës Lindore. Pas Çlirimit Shqipëria u la me Bllokun Lindor dhe u radhit me kampin socialist. U ngritën në funksionet e larta personat që bënë kurse një apo dyvjeçare, studiuan në Rusi dhe disa vende të tjera. Me prishjen e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, dolën në plan të parë kryesisht ata që nuk kishin pasur kontakte me shtete të huaja. Pas ndryshimit të sistemit politik, në vitet 1990-1992 do të vinin në funksione të larta ata që kishin studiuar në shtetet perëndimore, sidomos në Francë e më pas në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
– Ndryshimet e sistemeve politike kanë kushtëzuar edhe zhvillimet me pasoja për shtetin dhe popullin
Në historinë e shtetit shqiptar dhe së drejtës pas shpalljes së pavarësisë, më 1912, kanë ndodhur ngjarje që kanë sjellë ndryshime të mëdha dhe janë shoqëruar edhe me pasoja të rënda për popullin. Në kohën e Ahmet Zogut çifligarët e të pasurit shfrytëzonin popullin. U luftua përhapja e ideve të komunizmit dhe u eliminuan kundërshtarët e monarkisë. Pas Çlirimit të vendit më 1944 u zhvillua lufta kundër kundërshtarëve politikë, dënimi i bashkëpunëtorëve të pushtuesve nazifashistë dhe borgjezisë, në fakt të klasës së pasur të çifligarëve, pasi nuk ekzistonte kapitalizmi industrial. Kjo u thellua me luftën e klasave. Pas Luftës së Dytë Botërore Shqipëria u radhit me Evropën Lindore, me kampin socialist të Lindjes të udhëhequr nga Bashkimi Sovjetik. Është me rëndësi të vlerësohet drejt realiteti se politika e ndarjes midis nacionalistëve e çlirimtarëve, që më pas u quajtën komunistë, megjithëse ata nuk e njihnin komunizmin dhe Partia Komuniste ishte në ilegalitet, i ka shërbyer varësisë ndaj Lindjes së kryesuar nga Bashkimi Sovjetik, si dhe pushtetit autoritar. U vu në plan të parë politika e internacionalizmit proletar, u nënvleftësua nacionalizmi dhe u shpallën armiq dhe u dënuan ata që mbrojtën nacionalizmin. Në shtetet e Evropës Perëndimore pas luftës u dënuan bashkëpunëtorët e nazifashizmit në vitet 1945-1947. Më pas u zhvillua demokracia e pluralizmi politik dhe u mënjanuan ndarjet nacionaliste. Këto shtete pritën e morën në mbrojtje edhe nacionalistët shqiptarë të ndjekur e persekutuar nga pushteti popullor. Ata u përkrahën në përpjekjet për të luftuar komunizmin dhe afruar Shqipërinë me Perëndimin. U përdorën edhe për ndërhyrjet e armatosura me bandat që dërgoheshin për rrëzimin e pushtetit popullor. Por nuk patën sukses. Në vitin 1990 u ndryshua Kushtetuta e sistemi politik dhe filloi procesi i reformimit e ndërtimit të shtetit të së drejtës, duke u radhitur me aleancën perëndimore euroatlantike. U dënuan me të drejtë pasojat e rënda nga lufta e klasave, krimet e shtetit të diktaturës së proletariatit. Në këto kushte, krijohen premisa për largimin nga politikat e vjetra të ndarjeve armiqësore, deri në vëllavrasje, të shtresave të ndryshme të popullsisë e të grupimeve politike. Shteti dhe shoqëria e sotme bazohen në lirinë e mendimeve, barazinë e të drejtave, solidaritetin e mirëqenien për të gjithë. Mbi bazën e këtyre parimeve kushtetuese kërkohet unitet, bashkëpunim dhe harmoni shoqërore, duke respektuar secilin dhe çdo grupim politik e shoqëror.