U shpall non grata nga SHBA/ Reagon Ylli Ndroqi: Kam respektuar ligjet e vendit tim dhe SHBA, do kërkoj heqjen e emrit nga lista


Ylli Ndroqi ka reaguar për herë të parë pas shpalljes non grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndroqi shprehet se ka respektuar ligjet e vendit dhe ka kontribuar për ekonominë.

Ai thekson se beson te organet e drejtësisë dhe prej dy vitesh po mbron të vërtetën e tij para GJKKO. Ndroqi shton se është mbështetës i Reformës në Drejtësi dhe i interesave të SHBA në vend.

Ai thekson se beson te organet e drejtësisë dhe prej dy vitesh po mbron të vërtetën e tij para GJKKO. Ndroqi shton se është mbështetës i Reformës në Drejtësi dhe i interesave të SHBA në vend. Ndroqi thekson se do të kërkojë në SHBA heqjen e emrit të tij nga lista.

Deklarata e plotë e Ylli Ndroqit

Me keqardhje mësova sot lajmin se unë Ylli Ndroqi jam futur në listën e Departamentit të Thesarit të SHBA-ve. Lidhur me këtë lajm dëshiroj ti bëj me dije publikut si vijon:

Kam respektuar ligjet e RSH duke kontribuar për ekonominë e vendit. Vlerësoj të ndaj me publikun faktin se nuk kam mbajtur asnjë pozicion në administratën shtetërore.

Unë besoj fort tek organet e drejtësisë dhe prej 2 vitesh po mbroj të vërtetën time para Gjykatës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dhe kam besim që ajo do të vendosë si një gjykatë e pavarur dhe e krijuar me ligj.

Kam qenë dhe mbetem mbështetës i reformave të kryera në vend duke përfshirë Reformën në Drejtësi dhe mbi të gjitha jam dhe mbetem mbështetës i interesave të SHBA në vend dhe më gjerë dhe besoj fort që miqësia midis vendit tonë dhe SHBA është e një rëndësie thelbësore dhe bazohet në vlerat e demokracisë dhe shtetit të së drejtës.

Unë besoj në vlerat mbi të cilat janë krijuar dhe funksionojnë SHBA, të cilat janë universale. Po ashtu, duke vlerësuar që ky vendim është marrë mbi bazën e informacioneve të gabuara, duke besuar fort në drejtësinë e vendimmarrjes së institucioneve të SHBA, do të përdor të drejtën time për të kërkuar heqjen e emrit nga lista duke vënë në dispozicion të autoriteteve çdo informacion që ato të kenë nevojë.

Vlerësoj me rëndësi të sqaroj publikun se sipas legjislacionit amerikan vendosja e emrit në këtë listë është e rishikueshme dhe nuk ka të bëjë me asnjë nga rastet e mëparshme në Shqipëri

Shpreh besimin që ky vendim do të rishikohet dhe emri do të hiqet nga kjo listë.

Po ashtu do t’ju mbaj në dijeni për hapat e mëtejshme.