Kreu i PD Sali Berisha, i ka bërë thirrje Fondit Shqiptaro-Amerikan të heqë dorë nga koncesioni i Butrintit, duke shtuar se çdo gjë është në konflikt interesi.
Berisha deklaroi se avokatia e cila ka përgatitur kontratën, është anëtare e bordit.
“Trashëgimia kulturore është çështje e identitetit të një kombi, kulturën e kemi shtyllë kryesore të identitetit tonë.
Është në një agresion të paparë kjo trashëgimi kulturore, si asnjëherë tjetër që nga koha e diktaturës. Kam pasur kontakt edhe me fondin shumë të ngushta. Por çfarë kam konstatuar unë tek Butrinti. E pabesueshme çdo gjë në konflikt 100 për qind të interesit, e paimagjinueshme i them fondit që ky është model invers që s’duhet ta pranoni dhe lejoni kurrë.
Avokatja që ka përgatit kontratën është anëtare bordi. Projekti i menaxhimit të Butrintit është bërë vetëm për zonën arkeologjike, në një kohë kur në ligj e vendime ai është një park kombëtar.
Janë përjashtuar, nga plani i këtyre që kanë përfituar, kanë bërë projekt të menaxhimit për zonën A1, që është zona arkeologjike, të tjerat nuk ekzistojnë.
Pra ndërtohej gjithçka mbi bazën e konfliktit të interesit, përjashtoheshin specialistët më të mirë tanë dhe ajo është një model që duhet anuluar. I bëj thirrje fondit, i cili ka një traditë absolutisht pozitive në këtë vend, të admirueshme, dhe e kam respektuar shumë, të tërhiqet, të rishqyrtojë gabimet që ka bërë dhe të heqë dorë nga projekti.
Butrinti, parku më i bukur i botës. Ka një gërshetim të natyrës, panoramës, të gjetjeve arkeologjike, pamje magjepsëse. natyrisht ne qëndrojmë, ajo kontratë është e papranueshme dhe ajo do anulohet. I sugjeroj fondit të rishqyrtojë qëndrimin ndaj kësaj kontrate”, u shpreh Berisha.
Lideri i demokratëve ka folur edhe në lidhje me Teatrin. Ai u shpreh se Teatri Kombëtar do të ndërtohet siç ka qenë, ndërsa ka shtuar se qëllimi i tij është rikthimi i projektit të parë të italianëve për Tiranën.
“Ju garantoj se shqetësimet serioze që ngritët këtu do të jenë pjesë e programit. Ai Teatër Kombëtar do të ndërtohet siç ka qenë. Sheshi ka qenë një fazë tranzitore. Çfarë ju bë sheshit? Sheshit iu zvogëluan përmasat në mënyrë që të mos ishte një hapësirë gjigante në raport me njeriun liliput kur kalonte.
U ndërtua një pyll midis Bankës dhe Muzeut. Sigurisht i përkohshëm. U ndërtua diçka tjetër jeshile për t’ia thyer betonin, u bë një gjelbërim para shkallëve dhe gjithçka në atë shesh ishte e përkohshme. Qëllimi ynë ka qenë rikthimi i projektit të parë të italianëve për Tiranën.
Mbi bazën e këtij qëllim ne shkuam me Bulevardin gjer në fund dhe filluam trajtimin e lumit të Tiranës. Këto ishin objektivat.
Natyrisht nuk është tagrin e një politikani kurrë të përcaktojë sheshin si do të jetë, do të jenë arkitektët, urbanistët që do ta përcaktojnë atë.
Është e vërtetë që Instituti i Urbanistikës u shkri. Pse? Sepse u zhyt i tëri në konflikt interesi. Ata vërtetë mblidheshin në ndërtesë, por funksionin në studio të veçanta, për kompani të veçanta dhe ata vetvetiu dolën në treg si privatë dhe kjo ka qenë arsyeja.
Natyrisht zëri është dëgjuar. Keni të drejtë për dy kullat, ato janë të hershme, megjithëse nuk ka patur asnjë rrënim, asnjë cenim të trashëgimisë kulturore të Tiranës gjatë asaj periudhe. Mund të bëhej edhe më shumë por mundësitë ishin të kufizuara”, u shpreh Berisha.