Rama ‘shthur’ fjalorin në Kuvend, i drejtohet demokratëve me gjuhë fyese

Kryeministri Edi Rama i është drejtuar me një gjuhë të ashpër dhe fyese, deputetëve të Partisë Demokratike, teksa fliste nga foltorja për rezolutën e Srebrenicës.

Duke iu drejtuar demokratëve Rama i quajti ata “foltore e gojore”, teksa akuzoi PD-në për deklaratat dhe raportin e Dick Marty-t mbi trafikimin e organeve njerëzore në Kosovë e Shqipëri. Gjatë fjalimit, kryeministri ka përdorur tonin e lartë të zërit, teksa termat që referonte kundrejt kolegëve vijonin të ishin fyes.

“Për të zgjedhur problemet mes gojores dhe foltores, duhet të zgjidhim problemet tona. këta jeni ju. U miratua rezoluta për Srebrenicën, u miratua apo jo. U miratua kur ishte planifikuar të miratohej, jo në ditën e foltores dhe gojores. S’keni ç’i bëni gomarit, dhe i bini gomarit.

Dick Marty ia keni hapur rrugën ju. Ça mendoni për Hashim Thaçin? Eshtë mirë që është në burg? Thika që i keni ngulur Kosovës nga dita e parë, deri në ditën e fundit, duke e ngritur thikën dhe duke ia ngulur në gjoks presidentit të Kosovës, i përkasin historisë. Historia do të tregojë se ju ‘patriotët e mëdhenj’, jeni thika në shpinën e Kosovës. Ju kështu keni qenë gjithmonë. Bishti i shtrembër nuk drejtohet. (Duartrokitje në sallë)”,tha Rama.