Kryeministri Edi Rama ka falënderuar presidentin francez Emmanuel Macron dhe ish-kancelaren gjermane Angela Merkel për kontributin e dhënë në rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE, që kulmoi këtë të martë me hapjen e negociatave.
Gjatë konferencës së përbashkët me Presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, dhe Kryeministrin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovačevski, shefi i qeverisë shprehu mirënjohjen për ekipin e Presidentit Macron dhe kontributin e dhënë në zhbllokimin e ngërçit mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.
Gjithashtu Rama nuk la pa falënderuar dhe popullin shqiptar, për mosdorëzimin në ndjekjen e rrugës evropian.
“Dua të falënderoj një tjetër zonjë gjermane që nuk është më aktive, por pa të cilën nuk do të ishim këtu dhe kjo është ish-kancelarja Angela Merkel.
Ajo ka ditëlindjen dhe do të doja t’i uroja gjithë të mirat. S’do të ishim këtu pa përpjekjet e tepërta të Presidencës franceze, ekipit të presidentit Macron, të cilët kanë punuar pa lodhur që të mbërrinim në përfundimin francez që shtroi rrugën për zhbllokimin e një ngërçi absurd. Falenderoj gjithë popullin shqiptar që kurrë nuk u dorëzua së ndjekuri rrugën evriopiane”, tha Rama.