Deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi nxorri sot dokumentet ku tregon rastin e një kulle në qendër të Tiranës qe kishte marrë leje për 37 kate, ka ndërtuar edhe pesë kate pa leje dhe më pas ka nxjerrë lejen përkatëse.
Ai iu referua rastit të kullës pranë ETC-së, ku tha se biznesmeni Shefqet Kastrati ka siguruar një trajtim tjetër nga kryeministri Rama, ndryshe nga qytetarët e thjeshtë që kanë përfunduar në burg për ndërtimin e një çatie pa leje.
“Të jemi të vërtetë me qytetarët. Të paktën ti kursejmë talljen shqiptarëve, të mos i themi drejtësia është e re për 3304 qytetarë të zakonshëm që dënohen pse ndërtojnë pa leje catinë e shtëpisë së tyre, por është më e vjetëruar se e vjetra kur ndërton 5 kate në mes të Tiranës pa leje sepse je ortak i Edi Ramës, je KASTRATI dhe gëzon statusin “i paprekshëm”. Drejtësia do të jetë e re kur të ketë fytyrën, mendjen dhe sjelljen e re. Drejtësia do të jetë e re ku askush mos gëzojë statusin “i paprekshëm”, drejtësia do të jetë e re kur Kryeministri të mos guxojë, që ditën për diell, të ndërmarrë veprime, të vendos shtetin në dispozicion të oborrit të tij, për të mbuluar paligjshmërinë”, u shpreh Bardhi.
“Drejtësia e ka marrë tashmë emrin “e re”, por në sjellje vijon të jetë “e vjetër”. Ajo vazhon të jetë drejtësia që godet në palcë të pamundurin, qytetarin e zakonshëm, dhe i jep imunitet atyre që kanë qenë dhe vijojnë të jenë të paprekshëm. Për të qenë konkret këtë do ta ilustroj me një shembull domethënës, se përse drejtësia nuk mund të jetë kurrë e re në sjellje, nëse është produkt i vullnetit të një Kryeministri të korruptuar. Në 5 vjet 3304 qytetarë janë dënuar për veprën penale “ndërtim i paligjshëm”. Kjo shifër është një e dhënë zyrtare e marrë nga Ministria e Drejtësisë. Asnjë prej këtyre 3304 qytetarëve nuk ka bërë si ndërtim të paligjshëm as gradacela dhe as biznese. Përkundrazi, kanë rregulluar catinë e shtëpisë së tyre të rrënuar, kanë rregulluar murin rrethues, apo kanë rregulluar dhomën e gjumit të fëmijëve të tyre. Pavarësisht se kanë qenë në majë të malit, në zona të thella apo të izoluara, ato nuk i kanë shpëtuar syrit të institucioneve. Menjëherë u ka shkuar Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit, bashkia, policia, prokuroria, dhe në fund ka hyrë në lojë edhe gjykata duke i dënuar”.
Gazment Bardhi nxorri dokumentet e pallatit që e nisi me 37 kate dhe më pas bëri edhe pesë kate pa leje. Sipas këtyre dokumenteve, fillimisht Veliaj e kishte refuzuar lejen shtesë për pesë katet, por me ndërhyrjen e Ramës leja është miratuar.
“Oligarku mik i Edi Ramës merr leje ndërtimi për 37 kate mbi tokë, ndërton 42 kate mbi tokë, pasi i ndërton pa leje kërkon shtesë të lejes, por ligji nuk e lejon. Cfarë bën Edi Rama thoni ju, zbaton ligjin? Jo ndryshon ligjin sipas interesit të paligjshëm të oligarkut. Konkretisht, Agjencia e Zhvillimit të Territorit, në varësi të Edi Ramës, në vijim të një kërkese për informacion të datës 15 Prill 2022, më informon se për këtë ndërtim që unë tregova në foto Edi Rama ka firmosur dy vendime. Të parin për miratimin e lejes së zhvillimit për 37 kate mbi tokë dhe 5 kate nëntokë; dhe të dytin për lejimin e shtimit të disa kateve. Pasi firmos pa kryer asnjë verifikim apo pa marrë asnjë konfirmim nëse është respektuar apo jo leja e parë, ndërkohë që 5 katet shtesë pa leje ishin ndërtuar paraprakisht, Edi Rama urdhëron Erjon Veliajt, të miratojë lejën e ndërtimit për shtesë të disa kateve”, tha Bardhi.
“Sic informon zyrtarisht Bashkia e Tiranës refuzimi i lejës së ndërtimit është bërë për arsyen se “ndryshimi i projektit të propozuar (kërkesa për të shtuar disa kate mbi lejën e ndërtimit të miratuar në 2018) nuk është në përputhje me nenin 17 të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 408, datë 15.05.2015 “Për miratimin e rregullores së zhvillimit të territorit”. E përsërisë shtesën e kateve e ndalonte neni 17 i VKM nr. 408/2015. Cfarë bën Edi Rama? Se mos mendon ndonjë nga ju që zbatoi ligjin, apo urdhëroi vartësit që këtë ndërtim ta trajtonte në mënyrë të barabartë me 3304 qytetarët e tjerë që ishin dënuar pse ndërtojnë pa leje catinë e shtëpisë së tyrë. Jo, nuk zhgënjen edhe në këtë rast. Vendos shtetin në shërbim të paligjshmërisë, sepse paligjshmëria është kryer nga oborri i tij. 10 ditë pasi Bashkia e Tiranës refuzon të miratoi lejën e ndërtimit për shtimin e disa kateve, me vendimin nr. 457, datë 29 Qershor 2022 të Këshillit të Ministrave, Edi Rama e ndryshon pikën 17, që pengonte Bashkinë e Tiranës në ligjërimin e 5 kateve që tashmë janë ndërtuar pa leje”.