Kreu i PD, Sali Berisha pas përfundimit te fjalës se tij, ndërsa i drejtohej automjetit për tu larguar nga sheshi para kryeministrisë, ka zgjedhur t’i pershëndesë protestuesit duke u ngjitur mbi makinë.
Protesta e thirrur nga opozita, nën sloganin “Shqipëria në rrezik”, nisi në orën 19:00 dhe përfundoi në orën 21:00, sikundër dhe ishte parashikuar.
Në mbyllje të fjalës së tij, Berisha u ka bërë thirrje të gjithë atyre qytetarëve që nuk ishin sot në protestë, që të ngrihen dhe të bashkohen me ta.
“Ne u mblodhëm këtu për tu çuar një mesazh shumicës së heshtur të shqiptarëve, burrave dhe grave, djemve dhe vajzave, mjekëve, punëtorëve, juristëve, të gjithë atyre që kanë rënë në heshtje, ngrihuni dhe ju bashkohuni me ne, heshtja është e imponuar. Shqipëria sot ka nevojë më shumë se kurrë për dashurinë tonë, për besimin tonë, ndaj ju ftoj të brohorasim ‘e duam Shqipërinë, të bukurën e dheut, si Shqipëria vend nuk ka, rroftë Shqipëri, Zoti e bekoftë atë’… Faleminderit shumë”, tha ai.