Transferimi i Armando Brojës nga radhët e Çelsit duket se po hyn në fazën e nxehtë, pasi klubet e interesuara për të kanë nisur kontaktet zyrtare njëkohësisht edhe kanë bërë ofertat e para konkrete për futbollistin e përfaqësueses shqiptare. Shifrat të cilat përmenden në mediat britanike, duket se mund të tundojnë Çelsin e njëkohësisht, mund të regjistrojnë një rekord të ri në historinë e futbollistëve të përfaqësueses shqiptare
Sipas ”The Athletic”, në zyrat e londinezëve kanë arritur dy oferta. E para është ajo e Uest Hem, që është gati që nëpërmjet shifrës bazë dhe bonuseve, të blejë futbollistin duke shpenzuar një shifër që arrin në 35 milionë euro. Ndërkohë, oferta e dytë është e Evertonit, që ka nisur pjesëmarrjen në këtë ankand të mirëfilltë duke ofruar 25 milionë euro për sulmuesin e përfaqësueses shqiptare.
Të dyja janë shifra mjaft të rëndësishme për 20-vjeçarin shqiptar, i cili mund të thyejë kështu rekordin e merkatos sa u përket futbollistëve të Kombëtares, të vendosur dy vite më parë nga Marash Kumbulla. Transferimi i mbrojtësit nga Verona në vitin 2020 i kushtoi 22 milionë euro Romës. Nëse transferimi i Brojës finalizohet me shifrat e mësipërme, rekordi i Kumbullës do t’i kalojë sulmuesit të kuqezinjve.