Dje Partia Socialiste shpalli emrat e përzgjedhur për të drejtuar këtë forcë politike në 61 bashkitë e vendit. Gjatë prezantimit të emrave, Sekretari i Përgjithshëm i PS, u pyet nëse procesi i përzgjedhjes së fituesve ishte një farsë, pasi në vetvete u fsheh gara dhe u bënë thjesht disa emërime.
Në përgjigjen e tij Gjiknuri tha se metodologjia e re që ka përdorur PS, bën që kandidatët të marrin pëlqimin e anëtarësisë dhe të Asamblesë së partisë, por pa e shpjeguar se si, me votë apo jo.
Pyetje: A është procesi një farsë, a po fshihet gara
Gjiknuri: Në fakt unë e kam dhënë dhe këtë shpjegim kemi të bëjmë me një proces krejt tjetër E para njëherë nganjëherë kandidaturat zgjidhen duke reflektuar një raport, kësaj here është një proces që shkon përtej asaj, sepse kandidatët nuk filtrohen nga asnjë lloj strukture. Kandidatët vetëshpallen aplikojnë, ballafaqohen, është marrë opinion i anëtarësisë, grupi i punës ka pasur një metodologji ku përfshihej dhe opinion i Asamblesë.
Ky proces, Partia Socialiste do të dalë më e fortë dhe besoj se kemi zgjedhur kandidatët më të mirë. Çdo parti ka formën e saj të organizimit dhe çdo ndryshim ne e bëjmë është në funksion të forcimit të organizatës dhe në funksion të objektivave elektoralë.
Çfarë parashikon statuti i PS për zgjedhjen e drejtuesve lokalë
Në nenin 26 të statutit të PS përcaktohet mënyra se si do të zgjidhen kryetarët e rinj të degëve, të cilët kanë një mandat 4-vjeçar.
Neni 26 përcakton qartë se: 1. Kryetari i partisë i bashkisë përzgjidhet mes kandidatëve të propozuar nga mbledhja e zgjeruar e Asamblesë Socialiste të bashkisë dhe me miratimin e Kryesisë sipas procedurës së përcaktuar në Librin e rregullave; 2
. Mandati i kryetarit të partisë të bashkisë është, si rregull, katër vjet. Ai ndërpritet para kohe kur kryetari i partisë i bashkisë:
a. Jep dorëheqjen;
b. Shkarkohet nga Kryesia e Partisë për dobësi në punë e shkelje të normave të Statutit dhe etikës;
c. Humbet besimin e anëtarësisë dhe të organizatave socialiste të bashkisë, nuk fiton në mocionin e votëbesimit të zhvilluar për të;
d. Humbet në zgjedhjet vendore ose arrin rezultat më të dobët se zgjedhjet e mëparshme politike në bashkinë përkatëse;
3. Në rastet e mësipërme, mandati ndërpritet automatikisht. Në mungesë të kryetarit të partisë të bashkisë, detyrat e tij i kryen Sekretari ekzekutiv, ose një i ngarkuar nga Kryesia e Partisë, deri në zgjedhjen e kryetarit të ri.
4. Kryetari i partisë i bashkisë është anëtar i Asamblesë Kombëtare (AK), si përfaqësues i anëtarësisë së partisë të bashkisë përkatëse;
5. Kriteret, procedura e zgjedhjes dhe e shkarkimit si dhe detyrat kryesore të kryetarit të partisë të bashkisë përcaktohen në librin e rregullave.