Partia Demokratike ka depozituar dje në Kuvend një projektligj për shndërrimin në muze Kombëtar të Burgut të Spaçit dhe Kampit të Tepelenës.
Kreu i Grupit të PD-së Enkelejed Alibeaj thekson në një postim se: “Memoria historike për një vend që për gati 50 vite u rrënua nga diktatura komuniste shtron si domosdoshmëri që e shkuara e hidhur jo vetëm të njihet nga brezat e rinj, por dhe të shndërrohet në kujtesë ndërgjegjësuese për të sotmen dhe të ardhmen e Shqipërisë”.
Më tej shtohet se: “Partia Demokratike ka në gjenezën e saj atë pjesë të shoqërisë që gjatë viteve të komunizmit u vra, u syrgjynos, u burgos dhe u persekutua në burgjet e kampet më të egra të Europës. Këto 30 vite kanë qenë tregues i qartë se veç asaj që është bërë për të këtë shtresë ka ende shumë kontribute për të dhënë që nga e djeshmja e errët të nxirren mësime për të sotmen dhe të ardhmen.
Këtij qëllimi i shërben dhe projektligji i depozituar dje. Si shërbim ndaj memories historike të Shqipërisë dhe si një respekt ndaj mijra qytetarëve dhe pasardhësve të tyre që vuajtën terrorin e regjimit komunist”.