Taulant Balla ka ndarë nga foltorja e Kuvendit një lajm të mirë sa i takon çështjes së integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Ai tha se tashmë është arritur dakordësia politike mes palëve, duke konfirmuar faktin se Konferenca e Parë Ndërqeveritare do të mbahet javën që vjen.
“Kërkova fjalën për të ndarë me ju një lajm më se të mirë, ndoshta më i rëndësishmi këto 30 vite përsa i përket rrugëtimit tonë në BE që ka të bëjë me faktin se ka një dakordësi të plotë mes 27 endeve anëtare të BE për të mbajtur javën e ardhshme Konferencën e Parë ndërqeverisë mes Shqipërisë dhe BE. Është një moment i rëndësishëm, kjo pas komunikimeve të disa orësh të parlamenteve anëtare. Sapo është larguar edhe ambasadori i Çekisë me të cilin pata mundësinë të zhvilloj një komunikim. Dakordësia politike tashmë është arritur dhe mbajtja e Konferencës Ndërqeveritare tashmë javën e ardhshme është fakt.
Kjo qeveri ka meritën e pazëvendësueshme për përmbushjen e detyrimeve. Shqipëria po negocion dhe do negociojë për t’u bashkuar në BE. Java e ardhshme do jetë solemne në përgjegjësinë që kemi për të punuar. Duke pasur parasysh dhe detyrat që ka Kuvendi në këtë proces. Ne kemi udhëheqësinë e këtij procesi. Përsa kohë negociatat përfshijnë legjislacionin. Fillimi i bisedimeve për anëtarësim është fitore për shqiptarët. Urojmë që minutat dhe orët në vijim të jenë vendimtare për mbajtjen e Konferencën e Parë ndërqeveritare. Ata që javën e ardhshme duan të protestojnë, nuk e kanë me ne por me qytetarët”, tha Balla.