“Më veshën si grua e filmuan”, 31-vjeçari i rrëmbyer: Me Denaldën isha i lidhur, më mori 30 mijë € borxh

Pengmarrja dhe dhunimi i 31-vjeçarit Ermil Sorra po merr tjetër ‘formë’ pas zbardhjes së dëshmisë së tij. 31-vjeçari ka deklaruar se ai ka patur një lidhje intime me 37-vjeçaren Denalda Çezma dhe gjatë kohës që ata kishin qenë të lidhur bashkë ajo i kishte kërkuar shuma të mëdha parash me pretendimin se kishte mamanë e sëmurë. Sorra ka deklaruar se totali i borxhit që ajo i kishte marrë kapte vlerën e 30 mijë eurove (më herët u deklarua 20) dhe kur ai i kishte kërkuar mbrapsht paratë ajo nuk kishte pranuar.

Denalda Çezma sapo është përballur me kërkesën për të shlyer borxhin ka bllokuar çdo kontakt me Sorrën dhe i ka kërkuar ndihmë mikut të saj, Sulltan (Marku) Piraçi me pretendimin se Sorra e ngacmonte që të krijonte një lidhje me të. Ky i fundit pasi e kishte kërcënuar disa herë në rrjetet sociale “Facebook” dhe “Instagram” kishte thirrur dajën e tij Shkëlqim Koçeku dhe të dy e kanë rrëmbyer me makinë dhe e kanë çuar në shtëpinë e Denaldës ku është dhunuar. Por sikur të mos mjaftonte kjo, Ermil Sorra ka deklaruar se këta tre persona, Denalda, Sulltani dhe Shkëlqimi e kanë dhunuar me grushta, shkelma dhe rrip duke i shkaktuar plagë të shumta në kokë, kurriz, kurriz dhe veshë. Ai ka treguar se pengmarrësit e kanë veshur me rroba grash dhe Denalda e ka filmuar për ta përdorur këtë video si shantazh ndaj tij që ai mos të kërkonte paratë e tij.

Por pavarësisht këtyre presioneve dhe dhunës, Ermil Sorra sapo është liruar nga pengmarrësit ka shkuar në polici dhe ka rrëfyer ngjarjen. Ditën e sotme Gjykata e Tiranës ka lënë në burg Denalda Çezmën dhe Shkëlqim Koçekun, pas arrestit në flagrancë për pengmarrje të Ermil Sorrës.