SPAK me dy standarde, i çon OFL-në bujkut Bektash, por hesht për skandalet e Ceno Klosit dhe Dritan Agollit

Në dhjetorin e vitit 2019, kandidati për kryeprokuror i SPAK, Arben Kraja paraqiti platformën e tij para anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Ai premtoi zero tolerancë ndaj krimit e korrupsionit  dhe vlerësoi median si partnere të fuqishme.

Jo vetëm kaq. Ai tha se nga media mbërrijnë shpeshherë informacione të rëndësishme për nisjen e hetimeve e madje qortoi raportet e deridjeshme mes organit të akuzës dhe gazetarëve.

Pra, në platformën që rezultoi fituese, kryeprokurori i sotëm i SPAK premtoi t’u kushtojë një vëmendje të veçantë sinjalizimeve të akteve korruptive që burojnë nga media.

Por, ç’po ndodh deri tani?

A është treguar prokuroria e posaçme Antikorrupsion e vëmendshme ndaj skandaleve që janë publikuar nga gazetarët investigativë së fundmi?

Janë së paku dy skandale të rënda që janë lënë në harresë nga prokuroria, e cila përkundër premtimit për transparencë para publikut, sillet si një institucion hermetik.

U bënë muaj që një nga mediat më prestigjioze, televizioni më i madh informativ në vend “News 24” ka publikuar skandalin e drejtorit të përgjithshëm të Tatimeve, i cili është emëruar në këtë post, megjithëse është gjetur më herët me shkelje dhe KLSH ka rekomanduar

“Vërejtje me paralajmërim për largim nga puna”.

Jo vetëm kaq, por gazetarët investigativë zbuluan se Ceno Klosi ka dhënë 140 mijë paund me fajde për shoqëri biznesi përmes 4 transaksioneve në shkurtin e vitit 2019. Po ashtu në deklaratën e pasurisë se Ceno Klosit zbulohet se si në mënyrë të shpejtë ka blerë tre apartamente me vlerë mbi 500 mijë euro në Tirane.

Kodi Penal shqiptar e ka përcaktuar qartë se kur dhënia e fajdeve përbën krim te dënueshëm.

Neni 170/ç i kodit penal parashikon se “Ushtrimi i një ose disa veprimtarive financiare të ndryshme nga veprimtaria bankare, nga persona që nuk janë të licencuar për këtë qëllim, sipas legjislacionit bankar dhe/ose financiar në fuqi, dënohet me gjobë ose burgim gjer në tre vjet”.

Po kjo vepër, kur i ka shkaktuar pasoja të rënda interesave shtetërorë ose atyre të shtetasve, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

Rasti tjetër, i përket drejtorit të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli, për të cilin media shkruajti se SPAK kish nisur verifikimet.

Skandali kishte të bënte me dhënien e tenderit nga FSHZH për përgatitjen e menusë së kuzhinës tradicionale shqiptare me vlerë prej rreth 500 mijë dollarësh bashke me TVSH, kuzhinerit Alfio Rrotani i punësuar pranë restorantit të djalit të vetë drejtorit te ketij institucioni, Dritan Agolli.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit e kishte hapur procedurën brenda programit të 100 fshatrave, duke gjetur preteksin për të hartuar një menu për të krijuar menunë e 100 fshatrave. Sipas dokumenteve paratë do të shkojnë për grumbullimin e informacionit mbi gatimet shqiptare, dizajnin e librit të Menusë 100 Fshatra, realizimin e një dokumentari me seri dhe promovime në rrjetet sociale.

Dyshimet për shpalljen e fituesit të tenderit janë për një qark të shkurtër mes drejtorit të Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe shefit të kuzhinës Alfio Rrotani. Ky i fundit është adminsitrator dhe ortak kryesor i kompanisë Maskarpone, fituese e tenderit, ndërkohë që ka punuar për restorantin “Bedouin Beach & Bar” në Hamallaj tek Gjiri i Lalzit në Durrës, në pronësi të Flladi Agollit, i biri i drejtorit të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli.

Pas publikimit të këtij skandali në media, Komisioni i Prokurimit Publik është detyruar të anulojë tenderin abuziv 500 milion lekësh të FSHZH. Anulimi i tenderit të famshëm u bë pas denoncimeve të “Neës 24”, ndërkohë që komisioni i prokurimit publik u vu në lëvizje pas ankesës se bashkimit të operatorëve “Kube Studios” SHPK, “Albanian Gastronomy Academy AGA” SHPK dhe “CBS Creative Business Solutions” SHPK.

Këto janë dy skandale mjaft konkrete për të cilat Prokuroria e Posaçmet Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit jo vetëm duhet të hetojë formalisht, por duhet të bëjë transparencë për rezultatet e këtij hetimi.

Në kohën që këto skandale ulërasin publikisht, organet e drejtësisë së re janë bërë qesharake duke u marrë me çështje si ajo e Kozares, ku mbi 200 bujq të fshatit janë thirrur në gjyq, në mbrojtje të një bashkëfshatari i cili akuzohet se pasurinë nuk e ka vënë duke mbjellë e shitur grurë.

Deri edhe OFL-ja i ka trokitur në shtëpi Bektash Shtëpënjës nga Kozarja, i cili mbrohet duke thënë se pasurinë e ka vënë duke punuar që nga 1991 me autokombajnën e trashëguar nga kooperativa.

Por, këtu ka shtet! Bektashi rrezikon të gjendet fajtor dhe SPAK mund t’i sekuestrojë autokombajnën dhe të injorojë 200 bashkëfshatarët që e mbrojnë në gjyq. Të qash e të qeshësh!

E gjithë kjo procedurë gjyqësore surreale ndodh në kohën që qeveria ka paralajmëruar këdo që ka poshtë jastëkut 2 milionë euro, mund t’i pastrojë dhe t’i legalizojë lirisht.

Ka ardhur koha që drejtësia të japë sinjale se është reformuar vërtet. Ajo duhet të japë dëshmi se nëse do ta meritojë mbështetjen e publikut, duhet të veprojë pa pasur merakun e balancave politike, njohjeve personale, interesave të pushtetit, etj.

Nëse nuk e bën këtë, nëse vazhdon muzikën e premtimeve revolucionare të tipit “edhe pak dhe do të shohim arrestime”, do të themi se “drejtësia e re”, polli drejtësinë e vjetër.

Mund të ndryshosh emrin, selinë, rrogën dhe çdo gjë tjetër, por nëse nuk ndryshon mendësia, në asnjë rast nuk quhet reformim, por deformim./ Panorama.al