Tarifat e administrimit në pallate do të jenë tituj ekzekutivë duke lehtësuar kështu mbledhjen e tyre.
Disa ndryshime të bëra në ligjin për “Për administrimin e bashkëpronësisë në ndërtesat e banimit” parashikojnë mes të tjerash edhe shtimin e një pike që lidhet pikërisht me këtë aspekt.
Në shpjegimin që bëhet nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë për që është edhe propozuese e këtyre ndryshimeve thuhet se në tërësi ligji sjell futjen e koncepteve të reja që në ligjin ekzistues mungojnë. Të tilla janë ato të administrimit të komplekseve me vila përveç pallateve që tashmë është në funksion.
“Është vlerësuar që në përkufizimet e këtij ligji të shtohet edhe nocioni për komplekset e banimit, si dhe të rregullohet mënyra e administrimit të këtyre objekteve. Në këtë mënyrë, do të shmangen problematikat që janë hasur, me qëllim rregullimin e marrëdhënieve të bashkëpronësisë në këto objekte banimi.
Gjithashtu janë bërë ndryshime, të tilla si:
– Saktësimi i konceptit të asamblesë së bashkëpronarëve, me qëllim evitimin e situatave të paqarta të verifikuara në praktikë, ku në një ndërtesë janë krijuar disa asamble bashkëpronarësh, bazuar në hapësirat ligjore të lejuara nga neni 2, pika 4 e ligjit aktual;–
– Saktësimi se pronarët mund të marrin pjesë personalisht në mbledhjet e asamblesë apo të autorizojnë një përfaqësues të autorizuar dhe kjo për të mos pasur pengesa në formimin e kuorumit;
– Përcaktimi se vendimi i asamblesë së bashkëpronarëve mbi tarifën e administrimit është titull ekzekutiv. Kjo bëhet me qëllim lehtësimin e vendimmarrjes për procedura që kërkojnë të ndiqen me shpejtësi dhe efikasitet gjatë punës së përditshme të cilat me ligjin aktual kanë qenë penalizuese;
– Parashikimi i rregullimit ligjor për ndërtesat që paraqesin rrezik shembjeje;
– Heqja e emërtimeve që nuk janë në përdorim, të tilla ti “komuna”, “inspektorati ndërtimor dhe urbanistik” etj.
* Ekzekutimi i detyrueshëm mund të bëhet vetëm në bazë të një titulli ekzekutiv.
Janë tituj ekzekutivë:
a) vendimet civile të formës së prerë të gjykatës, që përmban një detyrim, vendimet e dhëna prej saj për sigurimin e padisë, si dhe për ekzekutimin e përkohshëm;
b) vendimet penale të formës së prerë në pjesën që bëjnë fjalë për të drejta pasurore;
c) vendimet e gjykatave e të arbitrazheve të shteteve të huaja që u është dhënë fuqi sipas dispozitave përkatëse të këtij Kodi;
ç) vendimet e një gjykate arbitrazhi në Republikën e Shqipërisë;
d) aktet noteriale që përmbajnë detyrim në të holla, si dhe aktet për dhënien e kredive bankare ose aktet për dhënien e kredive nga institucionet financiare jobankare;
dh) kambialet, çeqet e letrat me urdhër që barazohen me ato;
e) aktet e tjera që sipas ligjeve të veçanta quhen tituj ekzekutivë dhe ngarkohet zyra e përmbarimit për ekzekutimin e tyre./Monitor