Deputeti i PD-së, Gazment Bardhi ka kallëzuar sot në SPAK kryeministrin Edi Rama për shpërdorim detyre duke e akuzuar për dhënien e statusit investitor strategjik bashkëshortit të Ministres së Jashtme Olta Xhaçka.
Sipas Bardhit, bashkëshorti i ministres Xhaçka ka përfituar statusin e investitorit strategjik për ndërtimin e një hoteli disa katësh me 5 yje në një sipërfaqe zhvillimi prej 10,592 m² dhe me vlerë rreth 5,5 milion euro, në Gjilekë, Bashkia Himar.
Më tej, Bardhi thotë se shoqëria në pronësi të bashkëshortit të ministres Xhaçka ka përfituar masën mbështetëse të lejimit të përdorimit të bregut para hotelit për një periudhë 30 vjeçare, si dhe përfiton nga incentiva e reduktimit të TVSH-së.
Kjo për Bardhin është bërë në shkelje flagrante të ndalimeve ligjore të parashikuara në ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit.
“Kryeministri Edi Rama, në cilësinë e tij si epror i Ministres Olta Xhacka, por edhe si Kryetar i Komitetit të Investimeve Strategjike, ka përgjegjësinë ligjore për të zbatuar ndalimet e parashikuara nga ligji nr. 9367, datë 7.4.2005 “për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, i ndryshuar, ku qartësisht specifikohet se deputeti/ministri nuk mund të përfitojë përdorimin e pronave publike dhe se ky rregull vepron njëlloj edhe për bashkëshortin/en e tij”- thuhet në kallëzimin e firmosur nga deputeti Gazment Bardhi.
Duke mos aplikuar këtë ndalim, Kryeministri Edi Rama dhe anëtarët e Komitetit të Investimeve Strategjike, të cilët kanë qenë në dijeni se kompania përfituese është në pronësi të bashkëshorit të ministers/deputetes Olta Xhaçka, me dashje kanë kryer veprime në kundërshtim me ligjin, që përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës, duke i sjellë përfitime materiale të padrejta familjes së ministres Xhaçka.” – thuhet në kallëzim.
Kallëzimi penal ndaj Edi Ramës vjen një ditë pasi një grup deputetësh të Partisë Demokratike i kërkuan Kuvendit që të nisin procedurat për konstatimin e papajtueshmërisë me mandatin e deputetit për Olta Xhaçkën.